Bota e Inteligjencës Artificiale, së fundmi, u trondit nga disa ngjarje të paparashikueshme. Më 17 nëntor, bordi i kompanisë teknologjike OpenAL, e cila krijoi aplikacionin e Inteligjencës Artificiale ChatGPT, shkarkoi nga detyra shefin Sam Altman. Më 20 nëntor, zotit Altman ju ofrua menjëherë punë në kompaninë Microsoft.
Në të njëjtën ditë, pothuajse të gjithë 770 punonjësit e kompanisë OpenAI, nënshkruan një letër ku kërcënonin se do të largoheshin nga puna nëse anëtarët e bordit që shkarkuan zotin Altman nuk e tërhiqnin mbrapsht vendimin dhe nëse nuk jepnin vetë dorëheqjen. Më 21 nëntor, zoti Altman u rikthye në punën e vjetër. A janë tashmë gjërat si më parë? Apo kanë ndryshuar?
Në fakt, saga OpenAI shënon fillimin e një faze të re, më të pjekur, për industrinë e Inteligjencës Artificiale. Me rikthimin triumfues të zotit Altman, ambiciet e firmës OpenAI mund të rriten edhe më tepër. Nga ana tjetër, Microsoft, që qëndroi pranë zotit Altman në kohë nevoje, mund të fillojë të ketë ndikim më të madh mbi startup-in OpenAI.
Ndërsa për kompanitë e tjera të Inteligjencës Artificiale, kjo ngjarje mund të jetë shenjë e një zhvendosjeje më të gjerë nga idealizmi akademik, drejt pragmatizmit më të madh tregtar. Dhe për përdoruesit e teknologjisë, ajo mund të sjellë më shumë konkurrencë dhe të mundësojë më shumë zgjedhje.
Për të kuptuar të gjitha këto pasoja, fillojmë duke analizuar atë që ndodhi. Bordi i kompanisë OpenAI shkarkoi zotin Altman, duke pretenduar se ai nuk ka qenë “vazhdimisht i sinqertë në komunikimet e veta”.
Një faktor që mund të ketë ndikuar në këtë vendim, ishte mosmarrëveshja brenda kompanisë, nëse OpenAI kishte arritur apo jo baraspeshën e duhur midis shpejtësisë dhe sigurisë së produkteve të veta.
Disa punonjës të kompanisë, thonë se OpenAI kishte bërë një zbulim i cili bënte të mundur që modelet e Inteligjencës Artificiale, të përmirësoheshin në zgjidhjen e problemeve, pa u furnizuar me të dhëna shtesë.
Kjo gjë e trembi Ilya Sutskever-in, një bashkëthemelues dhe anëtar bordi. Helen Toner, anëtare bordi e lidhur me Universitetin Georgetown, kishte botuar një artikull akademik ku parashtronte “të metat” në qasjen e OpenAI-t për sigurinë e Inteligjencës Artificiale.
Më 21 nëntor, New York Times raportoi se zoti Altman, i shqetësuar për shtypin negativ, kishte marrë vendimin për të shkarkuar zonjën Toner. Kishte gjithashtu shqetësime për projektet anësore të zotit Altman, duke përfshirë një nismë për të ndërtuar gjysmëpërçues ajrorë me Inteligjencë Artificiale, për realizimin e të cilëve ai udhëtoi në Gjirin Persik, për të kërkuar me miliarda dollarë nga sauditët.
Në fund, ishte pikërisht zonja Toner dhe tre anëtarë të tjerë të bordit që e rrëzuan Altman-in. Drejtorit të gjashtë, Greg Brockman, ju hoq pozicioni si anëtar i bordit dhe më pas, ai dha vetë dorëheqjen në shenjë solidariteti me zotin Altman. Microsoft nxitoi për t’i joshur që të dy, duke u premtuar se do të krijonte një laborator të ri të Inteligjencës Artificiale, që ata mund ta drejtonin në mënyrë të pavarur.
Microsoft gjithashtu u zotua të punësonte pjesën tjetër të ekipit të firmës OpenAI. Nuk dihet nëse ky ishte apo jo një plan serioz. Por ai i dha zotit Altman një fuqi të madhe negociuese kur bisedoi për kthimin e tij në kompaninë OpenAI. Më 20 nëntor, ndërsa ishin duke u zhvilluar këto bisedime, Satya Nadella, shefi ekzekutiv i Microsoft, tha: “Pavarësisht se ku është Sam, ai po punon me Microsoft”.
Marrëveshja që u arrit nga zoti Altman dhe personat që e rrëzuan atë, do të shndërrojë firmën OpenAI, duke filluar nga bordi i saj. Zonja Toner dhe zoti Sutskever janë shkarkuar, po ashtu edhe Tasha McCauley, sipërmarrëse e teknologjisë.
Të tre kishin mbështetur largimin e zotit Altman. Zoti Brockman dhe tani për tani zoti Altman nuk do të rikthehen në bord. Nga gjashtë drejtorët që kishte më parë bordi, do të mbetet vetëm Adam D’Angelo, themeluesi i firmës Quora, një faqe online me pyetje dhe përgjigje.
Atij do t’i bashkohen disa “pesha të rënda” në fushën e teknologjisë, si Bret Taylor, ish-drejtor i firmës së softuerëve Salesforce, dhe Larry Summers nga Universiteti i Harvardit, i cili ka shërbyer si sekretar i Departamentit të Thesarit në kohën e presidentit Bill Clinton.
Faqja online “The Verge” ka raportuar se bordi i ri do të synojë të zgjerohet në nëntë anëtarë; Microsoft pritet të marrë një vend në bord dhe zoti Altman mund të rikthehet më vonë.
Ka shumë gjasa që drejtorët e rinj ta bëjnë kompaninë OpenAI më të orientuar drejt biznesit. Zoti Taylor dhe zoti Summers janë figura me shumë përvojë në sallën e këshillit.
Pikëpamjet e tyre për sigurinë nuk dihen ende, por ata mund të jenë më të hapur se zonja Toner dhe zonja McCauley ndaj ambicieve të zotit Altman për ndërtimin e një perandorie teknologjike. E njëjta gjë tashmë duket se është e vërtetë edhe për fuqinë punëtore të firmës OpenAI.
Një punonjës raporton se stafi i kompanisë do të bëhet edhe më besnik ndaj zotit Altman dhe ndoshta do të jetë më i gatshëm për të ndjekur vizionin e tij tregtar. Puna në modelin më të fuqishëm të Inteligjencës Artificiale të firmës, i quajtur GPT-5, pasi ishte ngadalësuar për disa muaj, tani me siguri do të përparojë me shpejtësi.
Megjithatë, mund të mbetet ende shija e hidhur e lënë nga trazira e dëbimit të zotit Altman. Sipas fjalëve të një investitori të shquar, ajo “dëmtoi besimin në kompani”. Në mëngjesin e 17 nëntorit, OpenAI ishte gati të mbyllte një ofertë tenderi me shoqërinë e kapitalit sipërmarrës Thrive Capital, me vlerë 86 miliardë dollarë.
Kjo ofertë u pezullua. Edhe pse thuhet se është rikthyer, investitorët në firmat startup mbeten të kujdesshëm. Për më tepër, nëse zoti Altman dhe zoti Sutskever nuk do të arrijnë të pajtohen, atëherë OpenAI mund të humbasë një nga mendjet më të respektuara të Inteligjencës Artificiale në botë.
Perspektiva e Microsoft duket më e sigurt. Ndërsa OpenAI ka marrë një goditje, reputacioni i Microsoft mbetet i lartë. Gjiganti i softuerit ndoshta parapëlqen të ketë pranë firmën OpenAI, jo thjesht të punësojë zotin Altman dhe ndihmësit e tij.
Për nga temperamenti, Altman dhe Brockman nuk janë të përshtatshëm për të punuar në një nga kompanitë më të mëdha në botë; shumë vëzhgues nuk mendonin se ata do të kishin qëndruar në Microsoft për një kohë të gjatë, edhe sikur të ishin punësuar.
Rikrijimi i një kompanie si OpenAI brenda Microsoft duke tërhequr ish-punonjësit e startup-it, gjithashtu do të kishte ngadalësuar përparimin e teknologjisë në një periudhë afatshkurtër, argumenton Mark Moerdler nga firma Bernstein.
Shumë punonjës të OpenAI-t ishin shprehur privatisht se do të parapëlqenin të shkonin të punonin në një kompani tjetër, jo në Microsoft, edhe pse nënshkruan zotimin se do të ndiqnin pas zotin Altman. Zoti Nadella dukej i kënaqur me rezultatin.
Çmimi i aksioneve të Microsoft-it, pasi u ul me 2% kur u përhap lajmi për shkarkimin e zotit Altman, u rrit sërish duke rifituar humbjet e pësuara. Më 22 nëntor, vlera e kompanisë në treg arriti në 2.8 trilionë dollarë.
Po pjesa tjetër e industrisë së Inteligjencës Artificiale? OpenAI është udhëheqësi i padiskutueshëm në garën e Inteligjencës Artificiale (shih grafikun). Një sondazh nga firma Retool zbuloi se 80% e zhvilluesve të softuerit thanë se përdornin modelet e OpenAI-t më shpesh sesa produktet e prodhuesve rivalë të modeleve të Inteligjencës Artificiale.
Aplikacioni ChatGPT, i cili një vit më parë e ktheu OpenAI-n në një kompani të njohur, tërheq rreth 60% të trafikut të internetit në 50 faqet më të mira online për Inteligjencën Artificiale gjeneruese. Në tetor, firma fitonte të ardhura me një normë vjetore prej 1.3 miliardë dollarësh.
Edhe nëse OpenAI përparon më shpejt nën udhëheqjen e re, ajo do të përballet me më shumë konkurrencë. Një kapitalist sipërmarrës i përqendruar në Inteligjencën Artificiale e krahason përvojën e kaluar nga OpenAI, me “shpërthimin” që ndodhi në fillim të këtij viti në Silicon Valley Bank, një ndodhi nga e cila shumë firma startup nxorën mësimin që të mos i vendosnin të gjitha vezët e tyre në një shportë.
Ndërsa po shpalosej drama për shkarkimin e Altman, më shumë se 100 klientë të OpenAI-t kontaktuan kompaninë rivale të Inteligjencës Artificiale Anthropic. Të tjerë i drejtuan sytë nga Cohere, një tjetër firmë startup, dhe nga njësia cloud e Google, e cila ka investuar në Anthropic. Krahu cloud i Amazon, një tjetër mbështetës i Anthropic, krijoi një ekip për të punuar me klientët e rinj që po largoheshin nga OpenAI.
Ngjarjet në OpenAI nxjerrin në pah një ndarje më të gjerë në Silicon Valley. Nga njëra anë janë “skeptikët”, të cilët besojnë se nëse Inteligjenca Artificiale lihet e pakontrolluar, ajo përbën një rrezik ekzistencial për njerëzimin dhe për këtë arsye, duan rregulla më të rrepta.
Kundërshtarët e tyre janë “optimistët”, të cilët e hedhin poshtë frikën e një apokalipsi nga Inteligjenca Artificiale dhe e vënë theksin në potencialin për përparim të madh teknologjik. Kjo ndarje qëndrimesh të kundërta reflekton dallime filozofike.
Shumë skeptikë janë të ndikuar nga “altruizmi efektiv”, një lëvizje që shqetësohet se Inteligjenca Artificiale mund të shfarosë njerëzimin. Optimistët përkrahin një botëkuptim të quajtur “përshpejtim efektiv”, sipas të cilit, zhvillimi i Inteligjencës Artificiale duhet të përshpejtohet.
Zoti Altman dukej se kishte treguar simpati për të dy grupet, duke bërë thirrje publike për “parmakë mbrojtës” për ta bërë Inteligjencën Artificiale të sigurt, dhe njëkohësisht duke e nxitur OpenAI-n të zhvillonte modele më të fuqishme dhe të krijonte mjete të reja, si një dyqan aplikacionesh për përdoruesit, ku ata mund të ndërtojnë chatbot-et e veta.
Sot, ai duket se ka anuar nga mendimi i optimistëve, ashtu si shumica e punëtorëve të OpenAI-t që dëshironin rikthimin e tij. Mendimi skeptik po e humbet gjithnjë e më shumë popullaritetin.
Kjo do të shqetësojë politikanët, të cilët po përpiqen të tregojnë se i marrin seriozisht rreziqet e Inteligjencës Artificiale. Në korrik, administrata e presidentit Joe Biden nxiti shtatë prodhuesit kryesorë të modeleve të Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë Google, Meta, Microsoft dhe OpenAI, që të bënin “zotime vullnetare” që produktet e tyre të Inteligjencës Artificiale, të vëzhgohen nga ekspertë përpara publikimit.
Më 1 nëntor, qeveria britanike bëri një veprim të ngjashëm duke nxitur një grup kompanish teknologjike të nënshkruanin një marrëveshje jodetyruese që i lejon rregullatorët të vënë në provë besueshmërinë dhe aftësitë e dëmshme të Inteligjencës Artificiale, si rrezikimi i sigurisë kombëtare.
Gjithashtu, kohët e fundit, Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv edhe më të rreptë. Ai detyron çdo kompani e cila ndërton modele të Inteligjencës Artificiale mbi një madhësi të caktuar (të përcaktuar nga fuqia llogaritëse e kërkuar), që të njoftojë qeverinë dhe të ndajë rezultatet e testimit të sigurisë.
Kështu që ndërsa optimistët po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në Silicon Valley, vëzhguesit në Shtëpinë e Bardhë do të jenë shumë të zënë, duke kontrolluar modelet e reja të Inteligjencës Artificiale.
/Përktheu: Lira Muça
Nga Monitor.Al