Miliarderi Elon Musk publikoi së fundmi në Twitter një spektakël që vjen drejtpërdrejt nga e ardhmja. Në një video, Musk shfaqi dy prototipa të robotëve humanoidë të Tesla, të njohur si Optimus bot, që kërcejnë në ritmin e muzikës elektronike, nën një sërë dritash vezulluese.
Prototipi i ri i robotit shfaq përparimet teknologjike të bëra nga kompania në vitin e fundit, kur, gjatë një demonstrimi të ngjashëm, stafi i Tesla-s duhej të poziciononte manualisht një nga prototipat. Sipas Tesla, roboti Optimus është projektuar për të kryer detyra rutinë, duke përdorur një rrjet nervor të trajnuar.
Objektivi i këtij “humanoidi autonom dykëmbësh” është të zëvendësojë njerëzit në kryerjen e detyrave jo të sigurta ose të përditshme – lexohet në faqen e internetit të Tesla. Megjithatë, roboti Optimus, i njohur edhe si Tesla Bot, është mirëpritur me skepticizëm, mbi të gjitha jashtë rrethit të fansave të Tesla-s.
Kur u shfaq për herë të parë, dukej një ide e papjekur e Musk, me një balerinë të maskuar si një robot për ndihmë vizuale. Prezantimi në Tesla AI Day vitin e kaluar nuk ishte shumë emocionues, me një prototip i cili me vështirësi arrinte të ecte dhe të përshëndeste turmën.
Me këtë model të ri, Tesla thotë se roboti mund të ecë 30% më shpejt. Edhe pse nuk do të thyejë shumë shpejt rekorde shpejtësie, po fillon të arrijë një nivel dobishmërie. Kompania, ndër të tjera, thotë se e ka zvogëluar me 10 kilogramë peshën duke përmirësuar ekuilibrin.
Një nga pjesët më të vështira në realizimin e një roboti humanoid të dobishëm janë duart, që duhet të jenë mjaft të forta sa të mbajnë pesha të rënda, por në të njëjtën kohë të sakta për të mbajtur objekte delikate.
Optimus Gen 2 i Tesla është i pajisur me duar të reja, që duket se janë një përditësim mjaft i rëndësishëm.
Tesla parashikon të nisë së shpejti përdorimin e robotit në operacionet e prodhimit.
Pasi të ketë vërtetuar dobinë e tij, Tesla planifikon të fillojë shitjen e robotit. Në një përditësim të mëparshëm në Optimus, Musk pohoi se “Optimus është jashtëzakonisht i nënvlerësuar”.
Ai tha se kërkesa mund të arrijë së shpejti në 10 – 20 miliardë njësi. Ai madje shkoi aq larg sa “parashikoi me besim” se Optimus do të përfaqësojë “pjesën më të madhe të vlerës në afat të gjatë të Tesla”.
/ CNBC