Në zemër të një prej vendeve më të bukura në botë, ku ndërthuren historia dhe inovacioni, ndodhet kryeqyteti i Skocisë, Edinburgu (një nga destinacionet më të mira që duhet të vizitoni në Skoci). Vetë emri i këtij qyteti të bukur të sjell ndër mend kështjella antike, rrugë mesjetare me kalldrëm dhe peizazhe që të lënë pa frymë.
Megjithatë, ajo që mund të jetë një surprizë e bukur për shumëkënd është që ky qytet, i pasur me histori, është edhe destinacioni kryesor për qëndrueshmërinë në Europë, në vitin 2023.
Me rrënjët mijëravjeçare, Edinburgu është dëshmitar i ndryshimeve gjatë shekujve. Që nga ndërtimi i kështjellës së famshme të Edinburgut në shekullin XII e më tej tek iluminizmi skocez – ky qytet ka një trashëgimi ndryshimesh dhe përshtatjesh.
Çdo vit që kalon, destinacioni kryesor për qëndrueshmërinë në Europë vijon të ngrejë edhe më lart standardet e jetës urbane të vetëdijshme për mjedisin, duke treguar se një qytet historik mund të zhvillohet duke përqafuar një të ardhme të qëndrueshme.
Edinburgu është destinacioni kryesor i Europës për qëndrueshmërinë
Edinburgu ka një histori të gjatë në lidhje me qëndrueshmërinë, që daton në shekullin XIX, kur qyteti nisi të krijojë parqe publike dhe hapësira të gjelbra.
Qëndrueshmëria në Edinburg mund t’i ketë rrënjët në planifikimin urban të qytetit në fund të shekullit XVIII. Me rritjen e popullsisë, duke çuar në rritje të mbipopullimit, qyteti përqafoi një qasje vizionare ndaj hapësirave të gjelbra.
Qyteti i Ri (New Town) i Edinburgut, i projektuar në vitin 1766, përfshinte parqe dhe kopshte të gjelbëruara, kryesisht për banorët më të pasur, që kërkonin të arratiseshin nga qyteti i vjetër i mbipopulluar (Old Town). Kjo vënie theksi tek estetika, te parqet dhe gjelbërimi, hodhi themelet për përpjekjet në të ardhmen te qëndrueshmëria.
Në fillim të shekullit XIX, qasja e Edinburgut në zhvillimin urban synonte të ekuilibronte rritjen industriale me ruajtjen e natyrës. Hapësirat e gjelbra konsideroheshin thelbësore për krijimin e një mjedisi urban më të shëndetshëm dhe të bukur, në kontrast të fortë me industrializimin që po përfshinte qytetet e tjera.
Sot, nismat e fuqishme të riciklimit të qytetit e rendisin Edinburgun të parin ndaj qyteteve të tjera skoceze në riciklimin e mbeturinave shtëpiake. Edinburgu shquhet si një qytet me hapësira të shumta të gjelbra; afërsisht gjysma e territorit të tij është përcaktuar si hapësirë e gjelbër, një përqindje më e lartë se çdo qytet tjetër në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitet e fundit, destinacioni kryesor për qëndrueshmërinë në Europë ka bërë hapa gjigantë drejt qëndrueshmërisë, duke përfshirë një zonë me emetime të ulëta dhe promovimin e dietave me bazë bimore.
Përpjekjet e Edinburgut për qëndrueshmërinë
Hapësirat e gjelbra – Në Edinburg ka një numër të madh parqesh publike dhe hapësirash të gjelbra, duke përfshirë Princes Street Gardens dhe Holyrood Park. Këto hapësira shërbejnë si një arratisje nga qyteti dhe promovojnë biodiversitetin.
Transporti i qëndrueshëm – Edinburgu u ofron vizitorëve një sërë mundësish për transportin e qëndrueshëm, duke përfshirë marrjen me qira të biçikletave dhe makinave elektrike.
Në këtë mënyrë, turistët mund të vizitojnë qytetin duke zvogëluar gjurmën e karbonit. Trami në Edinburg ka përmirësuar ndjeshëm transportin publik, duke reduktuar varësinë nga makinat private dhe duke zvogëluar emetimet e karbonit.
Akomodime të qëndrueshme – Në destinacionin kryesor për qëndrueshmërinë në Europë do të gjeni një sërë akomodimesh të qëndrueshme, duke përfshirë hotele dhe hostele që i japin përparësi qëndrueshmërisë në aktivitetin e tyre.
Skema për turizmin e gjelbër – Green Tourism Scheme është një program certifikimi që njeh kompanitë të cilat angazhohen për qëndrueshmërinë. Nga hotelet e restorantet te operatorët turistikë dhe shërbimet e transportit – një gamë e gjerë kompanish në Edinburg ka përqafuar parimet e turizmit të qëndrueshëm.
Festivale të qëndrueshme – Në Edinburg zhvillohen një numër i madh festivalesh të qëndrueshme, si Edinburgh International Festival dhe Edinburgh Festival Fringe. Këto festivale u japin përparësi qëndrueshmërisë në aktivitetin e tyre dhe nxisin vizitorët të bëjnë të njëjtën gjë.
Nismat për energjitë e rinovueshme – Këto nisma kanë luajtur një rol thelbësor në rrugëtimin e qëndrueshmërisë së Edinburgut. Impianti eolik Seagreen, i cili ndodhet jashtë qytetit, kontribuon në një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike të Edinburgut, duke shfrytëzuar fuqinë e erës.
Qyteti po nxit te rezidentët dhe sipërmarrjet përdorimin e energjisë diellore, duke promovuar angazhimin e tij për reduktimin e gjurmës së karbonit.
/ The Travel