Momenti më i bukur i ditës së punës, duhet thënë me sinqeritet, se është koha e drekës (Ndoshta është momenti i dytë më i bukur, dhe i pari është ai kur vjen ora për të ikur).
E megjithatë, gjithnjë e më shpesh, ora e shenjtë e drekës duket se është në rrezik zhdukje.
EzCater, një kompani që u ofron korporatave zgjidhje ushqimore, anketoi 5,000 punonjës në lidhje me pushimin e drekës.
Këtu janë gjetjet kryesore:
– Dreka i bën (thuajse) të gjithë më të lumtur. 53% e personave thonë se dreka i bën më të lumtur, në rritje me 15% krahasuar me vitin e kaluar dhe 48% thonë se ndihen më pak të rraskapitur kur hanë drekën, në rritje me 26% krahasuar me vitin e kaluar.
Ndër të tjera, 78% e personave thonë se pushimi i drekës përmirëson rendimentin e tyre.
Por gjithnjë e më shumë njerëz po e anashkalojnë drekën: 48% thonë se e anashkalojnë drekën të paktën një herë në javë, ndërkohë që numri i personave që lënë drekën tërësisht është rritur nga 10% në 14%.
Rreth 20% thonë se kjo ndodh për shkak të shumë takimeve (74% thonë se është e joetike të hash drekë gjatë një videothirrje), ndërsa një 22% thonë se nuk kanë kohë të mjaftueshme.
Më shumë se një e treta e punonjësve thonë se e bëjnë pushimin e drekës më pak se 30 minuta.
– Gjenerata Z priret ta dojë më shumë – dhe ta anashkalojë – pushimin e drekës. 42% e punonjësve të gjeneratës Z thonë se dreka është pjesa më e dashur e ditës, krahasuar me 26% të baby boomer.
Ndërkohë vetëm 30% e baby boomers e anashkalojnë drekën të paktën një herë në javë, ndërsa 70% e Gen Z priret të bëjë një pushim dreke më pak se gjysmë ore.
“Mund të ndodhë një herë në javë ose çdo ditë, por nxitja e punonjësve për të bërë pushimin e drekës prej 30 minutash ‘pa takime’ për të gjithë kompaninë (duke përfshirë edhe drejtuesit) krijon idenë se kompania juaj i jep përparësi shëndetit mendor dhe mirëqenies së punonjësve” – thonë autorët e raportit.
/ Fast Company