Gjatë njërit prej viteve të shkollës së mesme, më zgjodhën president të klasës. Si shulak që isha u ngjita gjithë krenari mbi një karrige dhe u hodha një vështrim tre shokëve shtatlartë, të ulur në fund të klasës, të cilët të gjithë i konsideronin si banditë. Ishin ata që, po të të thoshin: “Do të shihemi pas mësimit” do të doje me mish e shpirt që ajo ditë shkollore të zgjaste përgjithmonë.
Pas ceremonisë së inaugurimit tim si president, arrita të zgjidhja shumë çështje private dhe të kapërceja disa frikëra të mëparshme, isha miqësor me të tre dhe nuk i raportova kurrë në drejtori. As dhe një ankesë për ta gjatë gjithë presidencës sime. Kështu ia dola të fitoj miqësinë e tyre.
Përfitimi mes nesh ishte i ndërsjellë, unë dilja në shoqërinë e tyre në oborrin e shkollës, isha krenar, kokën lart, gjoksin e fryrë dhe i vështroja vëngër shokët e tjerë të klasës.
Gëzoja prestigj të madh falë shoqërisë me ta dhe shërbimeve që u ofroja. Sa herë që ata donin diçka, u sillja para, të cilat ia merrja një kolegu të pasur në klasë, në këmbim që të mos ia çoja emrin as atij tek drejtori. Edhe kur bënë plan të rrahin para syve të mi, kushëririn tim, u mjaftova me heshtje. Ajo që ndjeja duhej të mbetej brenda meje, vetëm kështu mund të ruaja miqësinë dhe interesat me ta.
Për katër vite radhazi si president, unë munda të kapërcej shumë probleme dhe të mbaj shoqëri të fortë duke qenë mik i bindur i tyre.
Nuk po jua them numrin e presidentëve pas meje, të cilët sot e kësaj dite përdorin po këtë strategji.
Omar Al Amoudi, shkrimtar nga Jemeni
Përktheu: Elmaz Fida
(foto ilustruese)