Si mund të ruajmë hapësirën ajrore nga dronët e përdorimit civil
Në zhargonin ushtarak thuhet se çdo armë ka edhe antiarmën e saj. Edhe sektori i dronëve nuk bën përjashtim.
Me një shpejtësi po aq të madhe sa prodhimi i llojeve të panumërta të dronëve, industria ushtarake, por edhe ajo civile, po ecën me ritme të shpejta në prodhimin, adaptimin dhe perfeksionimin e sistemeve antidron.
C-UAS, që përdoret sot si termi teknik i sistemeve dhe teknologjisë antidron (Counter-Unmanned Aircraft Systems) është një sektor i përzier me peshë më të madhe në aspektin ushtarak, por edhe atë civil.
Nevoja e mbrojtjes kundër dronëve të çdo lloj kategorie, por sidomos ndaj dronëve të përmasave të vogla, por po aq të rrezikshëm për jetën e njerëzve, funksionimin e infrastrukturës strategjike dhe sigurinë e një qyteti apo vendi, është në diskutimet e çdo vendi dhe institucioni përgjegjës për sigurinë e qytetarëve dhe të territorit kombëtar.
Deri pak vite më parë, fusha e dronëve në përgjithësi, por sidomos ajo e masave dhe e teknologjisë antidron, konsiderohej si një problem i padukshëm dhe minimal dhe më shumë lidhej me sferën ushtarake.
Por, me sofistikimin e mjeteve të vogla fluturuese, dhe veçanërisht konflikti në Ukrainë, treguan që ky nënvlerësim të ishte i gabuar dhe rreziku që dronët paraqesin është më i madh se sa perceptohej edhe nga vetë ekspertët e fushë së aviacionit.
Përpara se të përshkruajmë disa nga metodat dhe teknologjitë përkatëse që përdoren për të reduktuar në minimum rreziqet që mund të vijnë nga dronët, le të rendisim disa nga problemet reale në përdorimin apo keqpërdorimin e dronve.
Problemi më i madh dhe akut që vjen nga fluturimi i një droni, qoftë i përmasave të vogla, është marrja e paligjshme e fotove dhe videove e personave që nuk janë në dijeni dhe të pafuqishëm për të ndaluar fotografimin.
D.m.th. aspekti i privatësisë është një nga shkeljet e para në rastin e përdorimit të dronit. Një rrezik tjetër është dëmi që mund të shkaktojë një dron kur humbet dhe del jashtë kontrollit.
Në fushën e aviacionit klasifikohen dy rreziqe. Ai në ajër dhe ai në tokë.
Rreziku në ajër i një droni është përplasja me një objekt tjetër fluturues (MAC – Mid Air Collision). Rastet më të shpeshta janë përplasjet me helikopterët e forcave të rendit, të ndihmës së shpejtë dhe ato të mbrojtjes civile. Pasojat në këto raste janë fatale. Rreziku në tokë mund të shkaktojë dëme materiale deri në humbjen e jetës së personave.
Rreziqet e lartpërmendura mund të shkaktohen nga pakujdesia ose edhe nga qëllime kriminale. Këto të fundit, për vetë natyrën dhe qëllimin e tyre, shkaktojë dëme të pallogaritshme.
Dhe masat parandaluese në rastin e fundit janë edhe më të vështira, për vetë faktin e natyrës kriminale të operimit të dronëve.
Fluturimi i dronëve nga pakujdesia ose në mënyrë të qëllimshme pranë infrastrukturës strategjike, paraqet një rrezik në shkallë kombëtare. Bazuar edhe nga incidente të viteve të fundit në mbarë botën dhe për shkak të natyrës së infrastrukturës, dëmet janë të pallogaritshme dhe në shumë raste, të pariparueshme.
Infrastruktura më e ndjeshme dhe më e prekshme janë aeroportet. Zonat industriale, impiantet e përpunimit të hidrokarbureve, centralet e prodhimit të energjisë elektrike, portet, zonat ushtarake, burgjet, por edhe rezervatet dhe zonat natyrore të mbrojtura, janë të prekshme nga dronët.
Teknologjitë dhe sistemet aktuale që përdoren në masat kundër dronëve ndahen në këto dy kategori kryesore. Këto përkojnë edhe me masat e mara në faza të ndryshme.
Masat e zbulimit
Këtu përfshihen të gjitha mundësitë teknike për të zbuluar dronin në një radius dhe distancë të caktuar nga objekti apo infrastruktura e rrezikuar. Teknologjitë në këtë rast bazohen:
• Në zbulimin e RF (Radio Frequency).
Frekuencat e radios që përdor droni për të komunikuar me pilotin dhe telekomandën variojnë nga 2,4 deri në 5,8 GHz. Këto janë frekuenca për përdorim civil.
Por edhe frekuencat që përdoren për telefoninë celulare si ato të GSM, 3G, 4G, LTE dhe 5G të cilat përdoren nga dronët për komandim edhe në distanca të largëta. Përdorimi i zbulimit të frekuencave është efikas dhe zbulon jo vetëm dronin në ajër, por edhe telekomandën që është shumë e rëndësishme për të ndërhyrë, ashtu si duhet.
Por edhe përdorimi vetëm i frekuencave ka limitet e veta. P.sh. nuk mund të dallojë dronët armiq nga të tjerët.
• Zbulimin vizual të dronit me rreze lazer
Përdorimi i teknologjive me rreze lazer, të ngjashme me radarët e përdorur nga policia rrugore, janë një mënyrë efikase për të zbuluar një objekt fluturues.
• Zbulimi vizual me kamera të sofistikuara
Kamerat PTZ (Pan-Tilt-Zoom) që përdoren rëndom edhe në ruajtjen e objekteve kanë aftësinë të zbulojnë dhe mbulojnë një rreze shumë të madhe, duke u rrotulluar 360° rreth aksit të vet the 180° në mënyrë vertikale.
Edhe mundësia e zmadhimit është një mundësi për të zbuluar objekte të largëta në hapësirë
• Zbulimi nga zhurma e helikave
Metoda e zbulimit të një objekti fluturues nga zhurma që krijon është një mundësi shtesë për të identifikuar një dron. Të gjitha sistemet moderne kanë databazë të fuqishme dhe me algoritme të sofistikuara arrijnë të dallojnë nga zhurma edhe llojin e dronit në hapësirë.
Por edhe zbulimi nëpërmjet zhurmave mund të mos ketë efekt në zona me zhurma të ndryshme sidomos në zonat e qyteteve.
• Radari
Ashtu si radari që përdoret në aviacionit me pilot, kjo teknologji mundëson zbulimin e afrimit të një droni në një distancë të paracaktuar 24 orë pa pushim.
Megjithëse përdorimi i radarëve në zbulimin e dronëve, sidomos në distanca të largëta është një mundësi efikase në shumë raste, kjo teknologji ka edhe minuset e saj. Si p.sh. kostot shumë të larta.
Vështirësia për të zbuluar dronë të përmasave të vogla. Vështirësia për të dalluar dronët të klasifikuar si armiq, sidomos në zonat urbane ku reflektimi dhe interferencat janë të më mëdha.
Masat e zbutjes ose reduktimit të rrezikut
Këtu përfshihen të gjitha mundësitë dhe masat për të reduktuar në maksimum ose për të bllokuar dronet që paraqesin rrezik.
• Kapja e dronëve me rrjeta
Dronë të pajisur me pajisje të veçanta për të lëshuar një rrjetë në dronin e klasifikuar si i paligjshëm. Kjo metodë siguron që të eliminohen dëmet që mund të shkaktojë droni nëse bie në tokë. Por është një metodë e kushtueshme dhe përdoret vetëm një herë për çdo dron.
• Jamming dhe spoofing
Janë dy metodat më të përhapura dhe efikase në parandalimin dhe bllokimin e dronëve. Duke arritur çrregullimin (jamming) e frekuencave të dronit dhe kështu duke bllokuar fluturimin e mëtejshëm drejt objektivit.
Duke manipuluar dhe duke marrë komandën e dronit nëpërmjet manipulimit të frekuencave (spoofing). Por edhe këto metoda mund të shkaktojnë probleme në infrastrukturën e telekomunikacionit, duke penguar ose duke bllokuar frekuencat me të cilat punojnë. P.sh. rrjeti i telefonisë celulare.
• Dronet kundër droneve
Përdorimi i droneve specifikë për të sulmuar në ajër dronet e klasifikuara armike. Është një metodë efikase, por e kushtueshme dhe jo e saktë kundrejt droneve me shpejtësi të lartë.
• Armët antidron
Përdorimi i armëve nga toka ose ajri për rrëzimin e dronëve. Një metodë më shumë e përdorur në fushën ushtarake.
• Energjia direkte
Një metodë kryesisht ushtarake që është ende në fillimet e saj. Shumë precize, por me kosto të larta.
Të gjitha metodat dhe teknologjitë e lartpërmendura, me gjithë mundësitë që ofrojnë, është e pamundur të garantojnë një rezultat plotësisht të sigurt. Gjithçka varet nga qëllimi i përdorimit të sistemeve antidron, ambienti ku do të përdoret, situata ligjore, kostot dhe shumë faktorë të tjerë.
Edhe në Shqipëri, me rritjen e numrit të dronëve, evidentohet një tendencë për të investuar në fushën e sistemeve antidron. Kryesisht janë institucionet e sigurisë kombëtare që janë të interesuara të mbrohen nga dronët e paligjshëm në hapësirën ajrore.
Por edhe sektori privat dhe biznesi janë të ndjeshëm tashmë ndaj keqpërdorimit të dronëve, sidomos në rastet e prekjes së privatësisë.
Me zbatimin e rregulloreve përkatëse të lëshuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, si autoriteti i vetëm kompetent i monitorimit të hapësirës ajrore civile të Republikës së Shqipërisë, edhe masat kontrolluese dhe parandaluese të dronëve që fluturojnë në mënyrë të paligjshme, do të kenë më shumë efikasitet.
Detyrimi i regjistrimit të gjithë operatorëve të dronëve në këtë autoritet, do të mundësojë edhe institucionet ekzekutive, siç janë forcat e policisë, të identifikojnë më lehtë përdoruesit e dronëve, duke marrë masat përkatëse për uljen më maksimum të çdo incidenti apo keqpërdorimi të hapësirë ajrore.
Adrian Haxhiaj
Ekspert dhe konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe Dronëve
Krijuesi i kompanisë së parë shqiptare të trajnimit të dronëve. Albadron (www.albadron.com)
Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Dronëve(www.albanian-drone.com)
Anëtar dhe bashkëpunëtor i shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org).
Anëtar i Shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)
Anëtar i Shoqatës JEDA – Joint European Drone Associations (www.jeda-uas.eu)
Burimi Monitor.Al