“Nga trafiku i drogës tek pastrimi i parave, kështu dominojnë klanet në anën tjetër të Adriatikut”.
Në një shkrim të gazetarit Xhuliano Foschini vihet theksi tek mangësitë e Shqipërisë për të realizuar një marrëveshje të tillë. Për më tepër në shkrimin që lapsi.al e sjell më poshtë të plotë vihet në dukje se trafikimi i qenieve njerëzore është gjithashtu ndër bizneset e preferuara të grupeve kriminale shqiptare.
“Si është ajo shprehja?
Të shkosh në gojën e ujkut. Apo më mirë: të shqiponjës”. Një nga hetuesit italianë që e njeh më së miri lidhjen mes krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm në vendin tonë zgjedh të bëjë sarkazëm sepse sipas tij, për këtë çështje “do të ishte e vështirë të gjeje fjalë të ndryshme”.
Një lidhje që nis nga Italia dhe përfundon në Shqipëri, ku Giorgia Meloni kërkon të gjejë zgjidhje për problemet tona. Thelbi është se po dërgojmë mijëra emigrantë atje ku sipas forcave tona të policisë ekziston një mafia që kontrollon dhe organizon trafikun e paligjshëm të tyre.
“Emigracioni klandestin dhe trafikimi i qenieve njerëzore”, – shkruan Drejtoria e Antimafia në raportin e fundit, “është një nga bizneset kryesore të grupeve kriminale shqiptare. “Modus operandi” i përdorur i sheh organizatat e përfshira në kalimin nga brigjet shqiptare, përmes kanalit të Otrantos, të varkave me emigrantë të shumtë, kryesisht iranianë, pakistanezë, irakianë, egjiptianë, sirianë dhe afganë”.
Janë pikërisht ata që qeveria italiane kërkon të rikuperojë në Mesdhe dhe t’i dërgojë në brigjet shqiptare.
“Zbarkimi i përdorur më së shumti nga kontrabandistët është bregdeti i Salentos së poshtme dhe veçanërisht, ai i Santa Maria di Leuca, por ka zbarkime edhe në brigjet e Jonit” – shkruan Antinmafia. Mënyra se si funksionon sistemi është dokumentuar mirë nga një operacion i kryer nga Guardia di Finanza dhe i koordinuar nga prokuroria e Leçes. 4 grupe të organizuara, me një bazë logjistike në Shqipëri, rekrutuan emigrantë të cilët ishin bllokuar në Greqi apo Turqi, përmes chat-it që ata kishin krijuar në Facebook.
I morën, i shoqëruan në një hotel në Tiranë dhe më pas u organizua transporti i paligjshëm për në Itali. Kostoja ishte 6 mijë euro për person dhe paratë lëviznin nëpërmjet sistemit hawala, që e bën të pamundur gjurmimin dhe për rrjedhojë është edhe mënyra e tyre e preferuar siç kanë dokumentuar dhjetëra hetime, për financimin e aktiviteteve terroriste.
https://www.repubblica.it/cronaca/2023/11/08/news/narcotraffico_riciclaggio_cosi_clan_spadroneggiano_albania-419824316/amp/?fbclid=IwAR02DkLf-1fJypJ7YVXaOx7NgxTuiu-0lVXoc82aBaArAgu7c4E4JDEVQaU