Apple publikoi rezultatet financiare tremujore për periudhën e mbyllur më 30 shtator, me të ardhura totale 89.5 miliardë dollarë dhe 22.9 miliardë dollarë fitime.
Të ardhurat u ulën me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kurse fitimi neto u rrit me 10% me bazë vjetore.
Modelet e fundit iPhone kontribuuan me 43.8 miliardë dollarë në shitje neto, ose thuajse 49% të të ardhurave totale tremujore të kompanisë me seli në Cupertino, ndërsa sektori i shërbimeve, që përfshin produkte si Apple Music, TV+ dhe iCloud arriti një rekord të ri historik prej 22.3 miliardë dollarësh të ardhura.
Duke analizuar pjesën tjetër të ekosistemit të produkteve Apple, vihet re një rënie e shitjeve neto të Mac, iPad dhe pajisjeve wearable, ku kompjuterët Mac regjistruan rënie të shitjeve me 51%.
Amerika e Veriut dhe e Jugut mbetet tregu më i fortë i Apple, me 40.1 miliardë dollarë shitje neto, ndjekur nga Europa (22.5 miliardë dollarë) dhe Kina (15.1 miliardë dollarë).
Për të ardhmen, Apple është e kujdesshme mbi problemet e mundshme në zinxhirin e furnizimit që mund të vonojnë dërgesat e iPhone 15 Pro dhe Pro Max, edhe pse Tim Cook ka besim se Apple “do të arrijë një ekuilibër midis kërkesës dhe ofertës”.
/ GSMarena