-Më 8 nëntor, ditën kur u themelua Partia e Punës, pushojë zemra e Koço Devoles.-
Pa shumë mundim, tamponi më nxori pozitiv.
Për herë të dytë. Në dy vjet, edhe pse kisha bërë dy vaksina. Korona zuri edhe Filipin.
Nga na erdhi kjo hata?
Filipit i vdiq vjehrri. 95 vjeç.
Filipi u mërzit: pse ai nuk mbushi 100.
Qa të qajmë. Ra mbi arkivol…Me zor e ngrita unë!
E përqafova mes lotëve…Nga dhimka, na zuri korona…
Në orë 22 u shtriva. Po dremisja. Qull në djersë. Në kllapi thirra:
-Antoneta! Më sill një peshqir!
-Lere Ezmerkën të flejë…Më ke mua!
Sgurdullova sytë. Para meje Koço Devole!
-Është herë e dytë që lë parajsën për mua!
Pse nuk merr Filipin?
-Nuk e marr Filipin për tre arsye njerëzore dhe një sebep perëndie.
Së pari.
Në parajsë ka femra. Nuk bëhet seks.
E ka ndaluar Shën Pietri…
-Pse?…
-Po u puth zogu me bilbilin -dalin kalamajtë.
Vdekjet nga korona, lufta në Ukrainë, plus çilimijtë, nuk do gjesh vend ku të hedhësh koqen e mollës në parajsë!
Dhe Filipi pa femra dhe verë nuk shkel në parajsë.
Së dyti.
Në parajsë nuk ka kazino. Ku ta vrasi kohën miku yt?
Së treti. Javën e tretë – korrik 2023 – do ketë çudira në Tiranë.
A. Do arrstiset Arben Ahmetaj.
B. Do arrestohet Pëllumb Gjoka.
C. Do arrestohet dhënderri i Berishës.
D. SPAK do thërrasi Berishë
E. Do bëjë operacion bolet Filip Çakuli…
-Fjalë e hata: unë me bole. Shefi im pa bole?!
-Jo. Do bëjë operacion prostatën.
-Çështë prostata?
-Një gjëndërr, brenda boleve, në mëshikëzën e urinës.
Prodhohet që prodhohet sperma?
E kap prostata. E hedh në kandar. Dhe bëhet seks.
Po u bë operacion prostata, sperma derdhet në urinë dhe shkon në hale…
Së katërti.
Bëra një bisedë konfidenciale me Shën Pietrin.
-Jo. -Tha. -Filipi bën mëkate.
Nuk shkon tek prifti për t’i larë. Parajsa nuk pranon mëkatarë.
Bile bile, kohët e fundit ka nisur të tregojë barcaleta edhe për Krishtin.
Filipi e ka vendin në Ferr…
-Pse nuk shkon të marrësh zonjën tënde në parajsë.- I thashë unë. –
-Shkova. Më priti me këmbët e para.
-Pse?
-Kishte lexuar librin tënd:” Koço Devole”. Ishte tërbuar. Më tha:
-I paske hapur barkun Mitros?
Vidhje vezë e vaj në shtëpi dhe mi shisje mua?! Për të shkuar me rospie?!
-Jo. Nuk ta kam dredhur. Më duheshin para të luaja në kazino me Filipin dhe Mitron!
-Mos po flet me ndonjë buzë çarë nga silikoni?!
Vajin dhe vezët i ke vjedhur në kohën e shokut Enver? Jo që nuk kishte kazino, por po të të kapnin duke luajtur me letra, shkoje në hapsanë?
-Mitroja shkruan. -Vazhdoi gruaja.-
Demek, më paske marrë në krah kur isha nuse, për të më çuar në krevat.
Kur u shëndosha, më shtrije mbi tapet. Më rrukullisje deri në krevat…
Turp nuk ke? Sajon barcaleta për gruan dhe ja tregon Mitros?!
Më kërkon edhe në parajsë?
Më mirë në ferr vetëm, se sa në parajsë me ty!
-Do nuk do, ti duhet të vish me mua. -Më tha Koçoja.-Të do Shën Pietri këshilltar.
Hapi krahët. Më rrëmbeu!…
Ulëriva:
-Ndihmëëëë…
U hap dera. Hyri Ezmerka…