Operacioni i futjes së deputetëve demokratë nga penxherja e ndërtesës së Kuvendit, sado i suksesshëm, kishte edhe anën e vet komike.
Nuk di nëse veç përgatitjes së lartë fizike është në këtë shkallë edhe në planin e reputacionit etik.
Duket sikur kryesia e Kuvendit u kishte lënë si të vetmen mundësi për të hyrë në Kuvend, në shtëpinë e tyre, hyrjen nga penxheret!
Ju meritoni të hyni nga penxherja!
Dhe ata e pranuan!
Mirë që s’u tha: Hyni nga oxhaku në shtëpinë e kësulkuqes!
Ose hyni nga portiçka që përdoret për të furnizuar kafen e Kuvendit me kakao!
As me shkallë, as me ashensor, por me shkalavarje duke hyp me karrike!!!!
Pse hyn njeriu nga çdo brimë që i lënë hapur?
Po sikur t’u thonë se këtej e tutje kjo është hyrja juaj! Si i bëhet?
Dhe ndërkaq, çudi si gazetarët nuk sqaruan si kishte hyrë dr. Berisha brenda në Kuvend, as nga penxherja, as nga dera, as me të shtyra, por u gjend brenda dhe përshendeste elegant nga po ajo penxhere ku deputetët donin të hynin !
Kaq dobët mbrojtësit e Kuvendit sa lënë gjeneralin të hyjë si zotni dhe nuk lënë ushtarët?
Ose doktori ka zgjatime në Gardë, ose në Kuvend, ose pastaj duhet të besojmë në fuqi mistike ku muret tejshkohen me forcë shpirtërore dhe të padukshme!
Vetëm fëmijët nuk e kuptojnë se ishte ose një operacion i kombinuar mes sulmuesve dhe mbrojtësve, ose një lojë e mbrojtësve me sulmuesit!
Garda nuk i linte të hynin nga dera, por nuk i përzinte një metër më tutje kur hynin nga penxherja si në filma komike!
Kjo nuk është parë në asnjë rrethim. As në rrethimin e parë të Krujës, as në rrethimin e Shkodrës!
Çfarë po ndodh me këto shfaqje të ngjashme me përrallat e kësulkuqes, të ujkut me kecat? Përralla në tv!
Kush e ka futur opozitën në këtë operacion sa qesharak, aq humoristik sa edhe poshtërues: Ne n’a nxjerrin me shkelma nga dera, por hyjmë nga penxherja, pikërisht nga ajo penxhere që n’a e lënë hapur, ose nuk n’a pengojnë të hyjmë!
Uroj të mos bëhet rregull tani: Ju të opozitës, këtej e tutje, do të hyni nga penxherja, nga tunelet, nga kanalizimet, ose me shkallë zjarrfiksesh nga oxhaqet!
Do të hyni duke hypur në karrike, mbi tavolina, me kërcim me shkop, me kaladibrançe, duke u hedhur nga pemët përreth!
Çfarë mjerimi!
Çfarë poshtërimi për qytetarinë!