Mëngjes herët. Shoh hënën në perëndim duke hyrë. Është krejt afër horizontit, po shkon tek toka mëmë tani. Hënë e plotë, madje e stërmadhe duket.
Kështu thuhet. Doli hëna, jo lindi si dielli. Hyri hëna, jo perëndoi. Hëna që na ruajti gjithë natën, na bëri dritë aq sa mund të bënte ndërsa flinim. Madje i ndihmoi e orientoi edhe ata që ishin zgjuar. Tani e ka radhën të flejë edhe ajo.
Besoj më shumë poezi i janë kushtuar hënës sesa diellit. E kanë krahasuar me një disk të argjendtë, e larë në flori, romb i dashurisë, medaljon i artë, etj. Ne arrijmë t’i dallojmë fashat e reve tek hëna, jo tek dielli. Apo mos janë shëmbëllimet e tokës?! Hëna tinzare, hëna ziliqare për të dashuruarit, hëna në dritare, hëna manare, etj. Bashkë me yjet, ti hënë na ruan nga errësira e plotë gjysmën e kohës. Prandaj, je si dielli ose alteregoja e tij. Ndërsa ai është shpërthyes, i zjarrtë, depërtues, ti ndriçon me masë por pa ndalim, je e përkorë, e zbehtë, rritesh, zvogëlohesh për t’u rritur përsëri por e paepur në dritësimin tënd të vezullimtë.
Pastaj në këtë botë, amanetet njerëzit ia kanë lënë më shumë hënës sesa diellit. Sepse vrasjet, pusitë, prapaskenat, intrigat, ndodhin më shumë në errësirë sesa në dritë, natën më shumë sesa ditën dhe njerëzit në momentet e fundit i janë drejtuar hënës, jo diellit, për t’ia lënë fjalën e fundit apo nxjerrë sekretin. “Ty moj hënë të qofsha falë”, tingëllon më e njohur sesa “nën këtë diell”, ndodh kjo e ajo. Hëna i ka ruajtur njerëzit edhe nga kurthet ose pusitë sepse në një natë me hënë të plotë, edhe gjakësi është ruajtur, mbase e ka shtyrë vrasjen dhe ndoshta edhe ka ndërruar mendje pastaj.
Kujtim Morina/Hëna (përsiatje)

Leave a comment Leave a comment