Çfarë mund të them më tej
para kufomës së një lamtumire të vdekur?
Ka çaste kur zhytem në kujtime të pajetuara
dhe vajtimi ngjan me klithmat e natës.
Loti arratiset i ngurtësuar në mjegullën e mëngjesit të një dite dimri
dhe kthehet i shkrirë
në muzgun e parë me shirat e pranverës.
I largohem gjithçkaje
dhe shkoj në pyllin më të afërt,
nuk do t’i trembesha syve të hijeve të natës
që regëtijnë si vetëtima të saposhuara,
as zhurmës së mistershme
që vjen nga rrënjë pemësh pa fëshfërimë.
Është streha jonë,
po ai boshllëk tani jetim,
nën degët e panjës së bukur të vetmuar.
Si nuk e mbajta dot një qen,
që të mbante zi për mua?!
Harku i syve të tij nuk do të më braktiste,
gurgullimën e psherëtimave do të ma kuptonte;
kryqëzimi i shikimeve,
mund të mbyllte përsëri trekëndëshin tonë.
Nuk e kisha kurrë një plagë;
dhe as isha gjendur para një varri pa trup,
lamtumira jote si një gropë rrufeje në shpirt.
Një monedhë e harruar në xhepin e këmishës së vjetër,
mban të vizatuar sytë e tu…
BOSTON 10/24/2023