Kujtime
Përgatitjet për Meshën madhështore të 4 Nandorit 33 vjet ma parë, filluan ditë apo ndoshta javë përpara ditës së kremtimit.
Kapela e vogël e varrezave Katolike të Rrmajit kish fillu të goditej për të prit e mbajt gjinden që dhe formalisht do shpaloste “RIKTHIMIN” e besimit në ZOT, tham dhe formalisht sepse në qytetin e legjendës se Rozafatit, në qytetin epiqëndër të kulturës e antikomunizmit, në qytetin që përjetoi kalvarin e sakrificën sublime të shumë prej Martirëve të besimit, në kujtimet e mija të fminis nuk kish shpi që nuk kishte nji figure, madaje apo nuk gjeje nji ve të ngjyme për ditë të Pashkve.
Në një lloj ilegaliteti por me frikën tashma të “shkelun” burrat e djemt e Sarreqit, Skëndërbegut, Niprodhimeve, Dugajve të Reja, burrat e djemt e tan Shkodrës e kishin kthy thuajse në ritual të përditshëm kalimin kinse për rastësi nga varrezat Katolike të Skënderbegut, qyteti “vlonte” si kazanat që nanat tona ngarkoshin maje furrnelave me vajguri për të zi teshat e nyta, veç ksaj rradhe kazani ishte gjigand se po lante ndërgjegjen e nji populli që kje detyrue me mkatnue me zor e me mohue për sy e faqe si shkembim të mbijetesës të madhin Zot nën thundrën e kuçedrës së kuqe.
Fjalë si re të zeza shpërndaheshin nëpër qytet se forcat e policisë do ndërhynin natën e do prishnin Kapelën që po gatitej të kremtonte meshën, nuk di të tham a kishin bazë vërtetësie apo remineshnca e frikës mbrujtun shpirtit te ndydhun se gjati i shpërndante kto fjalë?, por di tu diftoj përgjigjen e djemnise së Shkodrës që shumë net i kalun të përgjumun shtri pllakave të vorreve të vjetra të gatshëm për përballje me këdo që do guxonte të avitej anej pari.
Dita e madhe erdhi e unë nuk do zgjatem ma tej se ajo asht kallxue prej shumë të tjerve që penen e kanë ma të hollë se t’emen.
Por gjej rastin me shpreh sot mirnjohjen, dashnin e respektin për dy nga njerzit ma aktiv te atyne ditëve që për fat i kam dhe gjak të parin e nun të dytin.
Mark Murana e Rrok Bardeli
Dy prej heronjve të rikthimit të Besimit, pa me sytë e fminisë teme.
Respekt e mirnjohje dhe shumë djemve Musliman që kalun net me ne në varrezat e Rrmajit të gatshëm për përballje, respekt e mirnjohje Shkodrës që mbrujti e lindi heronj të tillë.
04, 11, 2023