Përgatiti Mimoza Rama
Trëndafili i Egër ( Rosa canina ) është një shkurre që rritet deri në 3m lartësi, me degë të pajisura me gjemba, gjethe të këmbyera dhe të pa pushëzuara nga sipër, lulet i ka ngjyrë rozë ose rrallë edhe të bardha që çelin në maj-qershor…, por tani të ndalemi te fruti (që unë e hasa sot ) eliptik, i kuq dhe i mbushur me farëza që piqet tani në vjeshtë dhe që përmbajnë në sharkun e tyre 0,5-0,8% vitaminë C dhe që kanë vlera të larta kurative.
Frutat e saj janë të vetmet pjesë të bimës, që shërbejnë për kurimin e sëmundjeve.
Në mjekësinë popullore pjesët që ndihmojnë në lehtësimin e sëmundjeve janë frutat, që përftohen pas tharjes së luleve. Frutat e trëndafilit të egër ndihmojnë mjaft në kurimin e disa prej sëmundjeve më të përhapura.
Ato përdoren në formë çaji duke i shtypur frutat paraprakisht.
Ndihmesë të sëmurët me anemi.
Për rritjen e numrit të rruazave të kuqe në gjak dhe të hemoglobinës, mjekët këshillojnë që të sëmurët të pijnë 2 herë në ditë nga një gotë me çajin e përftuar nga frutet e copëtuara të bimës.
Rezultate të mira kjo bimë jep edhe në parandalimin e sëmundjeve të mushkërisë të shkaktuara nga ftohja ose pirja e tepërt e cigares.
Rezultate të shkëlqyera jep në shqetësimet e tëmthit dhe rrit sasinë e lëngut në të.
Rosa Canina përdoret gjithashtu si shkurre dekorative dhe si nënshartesë për trëndafilat e butë.