Opozita akuzon shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore
Në Shqipëri, tensioni mes opozitës dhe shumicës vijon të mbetet i lartë, me një grup deputetësh demokratë të cilët sot bllokuan fillimisht zhvillimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku ishte parashikuar prezantimi I projekt buxhetit të vitit të ardhshëm
???? Deputetët e opozitës u vendosën përpara dyerve të sallës ku do të zhvillohej takimi duke mos lejuar hyrjen e askujt, ndërsa debate me tone të larta u zhvilluan mes tyre dhe përfaqësuesve të shumicës.
Përplasjet e sotme pasojnë ato të dy ditëve më parë në seancën parlamentare ku pati dhe një konflikt fizik mes deputetit demokrat Gledion Nallbati dhe atij socialist Vullnet Sina, i cili nuk u lejua të mbante diskutimin e tij. Për pasojë ndaj 6 deputetëve të opozitës u mor masa e përjashtimit.
Deputeti Gazmend Bardhi, një prej të përjashtuarve, pati debate të ashpra me kryetaren Lindita Nikolla në korridoret e parlamentit. Më herët një grup deputetësh të opozitës hynë me forcë në zyrën e zonjës Nikolla, ndërkohë që ajo nuk ishte aty.
Deputetët e opozitës kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillim normal të seancave parlamentare apo të punës në Komisione, derisa, siç shprehen, të respektohen të drejtat themelore të tyre. Ata akuzojnë shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore, apo se po kërkon të imponojë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore.