Nga avokat Alfred Duka
Me rastin e 560 vjetorit të Nënshkrimit të Vullnetit Arbnor, për tu bashkuar me fuqitë Europiane kundër pushtuesit osman, Aktit të nënshkruar në Kishën e Shënmërisë në Rodon, nga Kryezoti Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ipeshkëvi i Ilirisë Pal Engjëlli, Abati i Arbnisë Pjetër Perlati dhe Vlashi, Nunci Prior i Shkodrës, menduam ta përkujtojmë si një ditë të shënuar të historisë sonë, me një Pelegrinazh kulturor, si dhe me inaugurimin e Shtatores së Pjetër Perlatit, punë e mjeshtrit Benard Lekgega.
I “ngarkuar” me detyrën e organizimit, të këtij rasti, u përpoqa, por duke qenë nën stresin e kufirit maksimal të 60 vetëve(aq është numri i personave që akomodohen aty ku i ftova), sigurisht që bëhen gabime, duke lënë pa ftesë shumë të merituar, por edhe harruar në formën e sigurisë se i kam ftuar, si Franin, Markun e Nokën e disa të tjerë, (të cilëve ju kërkoj ndjesë), pasi siduket plakja qenka urdhëresë e epërme, pavarësisht ndeshjeve të përditshme me të, pa lënë pa përmendur kufizimet e mia në kësi rastesh.
Falënderoj nga zemra të gjithë ata që u munduan në atë Pelegrinazh tek Kisha e Shënmërisë në Rodon, por edhe ata që më nderuan në Perlat me pjesëmarrjen e tyre. Ndërsa ata që munguan, aspak nuk shkëlqyen me mungesën e tyre, pavarësisht justifikimeve, për shumë arsye që nuk po i përmend këtu, përveç njërës dhe më të rëndësishmes që nuk ja fal asnjërit; më latë njëzet miq pa ftuar, jo si zëvendësit tuaj, por ndoshta më të meritueshëm dhe këtë e provuat vetë…
Edhe një herë përkulem para atyre që ju përgjigjën ftesës, në të njëjtën mënyrë ju kërkoj ndjesë atyre që kam menduar se i kam ftuar, si dhe atyre që e kanë merituar…