‘Radio-Burgu’ e kishte paralajmëruar rënien e shtetit të Tyre, por ne dyshonim tek çdo pandehmë që kishte lidhje me ta, deri në fund. Edhe sot dyshojmë. Edhe pse dyshimi nuk premton kurrgjë.
Megjithatë, një mëngjes u gjend e hapur kanatë porta e madhe e burgut dhe ne dolëm, u bëmë erë!
U ndamë grupe-grupe, o veç e veç. Kush e di, bënë gjoja sikur na liruan, por na dërgojnë nga pas auto-burgun dhe na mbledhin rrugës, si dele të humbura. Morëm malet, faqeve anë rruge…
Më në fund, arrita në vendlindje. I trembur. Më i trembur se rrugës: këtu më njihnin të gjithë. Më bëhej se tërë ata që më donin kishin vdekur. Ata që doja të shihja, edhe pse s’më erdhën në burg.
Gjallë duhet të kisha vetëm vëllain. Ai më kishte ardhur në burg, edhe pse vetëm një herë.
Vetëm një herë të vetme, sa për të më thënë se nuk do më vinte më. Po, kështu ma kishte thënë, shkoqur: “Ose do vij shpesh të të spiunoj ty, ose mos më prit më…”
Nuk më erdhi më.
Tani isha liruar, shkova ta takoja, do ta takoja me çdo kusht, edhe pse në dyshim mos ishte bërë spiun.
Nuk ia vlente ta pyesja për këtë, madje as ia vlente ta dija.
Mbase ngaqë unë nuk u bëra spiun në burg, ishte bërë ai jashtë?!
Logjika s’lë hile fjale: nëse ishe brenda, pse duhet të pranoje të bëhesha spiun?!
Pikërisht ngaqë ishte jashtë mureve, pra për të mos ardhur tek unë, si spiun vëllai, edhe mund të justifikohej bërja e tij spiun ndaj të tjerëve.
Vrasje-mendja grushtonte nga brenda koke: Njerëzit e lirë, sado si, janë më të kërcënueshëm, të kurthueshëm, më të dosjueshëm, pra.
Robi është tjetër, robëria ka imunitet: me çfarë ta korruptosh robin, duke e lënë edhe më tej rob?!
Tërë jetën, edhe sot, im-vëlla me fat të mbetej ‘jashtë’, nuk beson që unë, atje brenda, nuk u bëra spiun!
Mbase punë natyre, karakteri, por si t’ia thosha: ne e dinim se ç’ishte jashtë burgut, juve jashtë nuk e dinit ç’ishte brenda!
Mundësia e të gabuarit, gjithnjë, është më e madhe për ata që s’i dinë gjërat. Kontakti me padijen është më i shtrirë, ata kanë të drejtë të gabojnë më shumë, pra janë edhe më të falshëm.
Nuk ndenja në shtëpinë e vëllait. Jo vetëm se nisi të më thoshte po ato gjëra, sikur isha në burg. Më padurueshëm: “Rri urtë, se do të fusim brenda, prapë!”
“Do të fusim” (unë dhe Ata) thoshte, jo “do të fusin Ata”!
Fliste në shumës, sikur edhe ai të ishte pjesë e shtetit.
“Po ta mbajti, shko, ja tek është kufiri, provo e kaloje po deshe! Mos shko ndërmend se kufirin e kemi zbutur…”
Po pra, vëllai im shprehej sikur edhe shteti, edhe kufiri, të ishin të tij, të vëllait tim!
Të nesërmen ishte hapur fjala se kishin vrarë në kufi. Im-vëlla erdhi në shtëpi i lemerisur. Unë isha ende në gjumë.
“Thashë mos ish ti…!”, po thoshte, duke qarë në supin tim.
E mblodhi veten shpejt, dhe mu kthye:
“Se mos nisesh, dëgjove? Më mirë të vras unë, me dorën time, këtu në shtëpi, se të vritesh në kufi…”
Nuk kisha nerva për të dëgjuar, por edhe ngaqë për shkak të vrasjes së një dite më parë, kufiri ishte lëshuar. Rojat rrinin kot. Me armë, pa fishekë. Tu japin armë prej druri, thashë!
Vëllai më vështronte me habi dhe frikë.
“Ti sikur s’ke qenë në burg!”, më thoshte.
“Në burg më futën mua, të trembnin ty!”, i thosha.
E kisha pasur ëndërr kalimin e kufirit, tërë jetën kisha ëndërruar të Dilja Jashtë Shtetit!
Ika natën tjetër. E kalova kufirin, pa asnjë pengesë, më mori të qarët: asnjë zë, asnjë roje, asnjë rrezik për të kaluar në botën tjetër, kur deri dje mund të paguaje me kokë!
Më mirë të mos vijnë, se të plotësohen kaq shtrenjtë ëndrrat, po mendoja, a thua kisha dëshirë që kalimi i kufirit afër shtëpisë së vëllait të ishte aq i vështirë sa rreth-rrethimet e burgut!
Kufiri, është gjë e çuditshme, e madhe. Çdo gjë ka kufirin e vet. Pa kufij s’merret vesh ku fillon një gjë e ku mbaron tjetra, çfarë është e imja e çfarë s’është jotja, pa kufij s’dihet ku nis gruaja, e dashura, e njohura, fqinja, atdheu, fshati, prona…Gjer edhe jeta e vdekja, kanë kufirin midis.
Mbase prandaj besohet në turmë se kufiri meriton respekt, meriton të jetohet për kufirin, mbrojtja dhe kalimi i tij. Mbase prandaj mashtrohen kollaj edhe ata të cilëve u premtohet shtyrja e kufijve…
Ika, unë, e shkela kufirin. Qeni i kufirit le të lehte antologjive!
Ditëve të para më bëhej se doja ndonjë vend pa njerëz. Pa zhurmë, jo rrëmujë, jo qytet. Në asnjë mënyrë qytet të madh. Kisha frikë se do trembesha, do trullosesha, do më binte në kokë, si rakia në barkun bosh.
Diku pashë dy gomarë që kufirin e tyre, të të bërit çift. Ishin larguar sa më shumë prej fshatit, për të shijuar vetminë. Gomarica rrinte urtë e butë, bënte ojna, për t’ja mbajtur tjetrit ndezur dëshirën. S’më shtynin këmbët të ikja tutje. Ndenja një copë herë, duke i vështruar. Si për kthim kujtese të një “lloj pune” që ia kisha privuar vetes duke zgjedhur burgun.
Ajo që më tronditi ishte se gjatë tërë kësaj dëshmie natyrore asgjë s’regëtiu në dejt dhe eshtrat. Sikur të mos i kisha pasur kurrë këto shqisa…
U graha gomarëve të lehtësuar prej njeri tjetrit dhe veshgjatët morën rrugën që ata dinin. Pas tyre shkova.
Gomarët s’janë si puna e njerëzve. Bëjnë rrugë të njohur. I zoti i shtëpisë së tyre më mori në punë. Më ofroi ushqim të bollshëm dhe një qoshk për gjumë. Nuk doja tjetër. Pas dy javësh e kisha marrë veten dhe isha gati për të vazhduar udhën për në Athinë.
Njeriun e parë që më nxori përballë rastësia si fat, atje, ishte një ish i burgosur tjetër. Provuam, të dy, të mos e zinim ngoje burgun. Ishte e pamundur.
I kërkova që, më parë se çdo gjë tjetër të më çonte në një shtëpi publike. Kisha dalë nga burgu, por isha në burgun e dyshimit të vetes në isha mashkull. Pa verifikuar këtë, asgjë tjetër s’më hynte në sy.
Tjetri, që e dinte Athinën e ditës dhe të natës, nuk ma bëri dysh.
“Femër më kërkon, femër do të jap/ Zgjidhe vetë të shkretën e mos bëj hesap!”
Ai pagoi natën e parë, unë i kërkova edhe një natë tjetër dhe ai pagoi menjëherë të tretën natë. Të nesërmen më njoftoi se ma pagoi edhe për një javë tjetër. Ia ktheva mbrapsht. Nuk më duhej tjetër: e kisha trembur dyshimin për burrë, kot ia kisha ngritur mjegull vetes.
Pas dhjetë muajsh e lashë Athinën, nuk u mësova dot me zhurmën, por ika prej aty me aq para që kurrë s’i kisha pasur në gjithë jetën time. U ktheva prapë atje ku më kishin arrestuar 15 vite më parë, në fshat.
Gjërat ishin përmbysur. Vëllai mu bë tjetër.
Ishte gati të më lironte njërën nga dhomat e shtëpisë së tij por i thashë se të nesërmen do ikja. Për në Tiranë.
Iu mbushën sytë me lot kur ia lashë atij të tretën prej dhrahmive që kisha me vete.
“Ti mund të shkosh edhe vet, ta provosh çdo të thotë Andej”, i thashë, por ishte i frikur: kufiri, ende ishte i ndaluar për të.
Dalja jashtë shtetit, i ishte ende e rrezikshme se…i duhej të kalonte kufirin!
Sot e kësaj dite jam në Tiranë, njeri i lirë. Punoj në ndërtim, jam bërë me tri fëmijë, lodhem më shumë se në burg, por kam ku vete pasditeve: në mitingjet e opozitës. Mishin na e kanë ngrënë ata të tjerët, këta të tjerët veç po na rropën lëkurën! Si lëkurë e nderur mbi eshtrat, çlodhem mitingjeve!
E dinë, të dy palët, ne të burgjeve kështu jemi bërë. Askush nuk na e ka frikën! Vetë e kemi fajin: që në fillim, s’duhej të pranonim të na quanin ish-të burgosur. Heshtëm kur u tha se bashkë ishim fajtorë dhe bashkë si vuajtës, falënderuam që na nxorën nga burgjet ata që na bënë gjyqet, sot e kësaj dite nuk bëjmë zë kur përsëritet në çdo pasqyrë shtypi se po na e kompensojnë rininë me më pak para se ç’u japin gazetave që publikojnë reklamat për po këto dëmshpërblime…
Asnjë kufi s’ka mbetur për tu kaluar…