Dje në Perlat të Mirditës u përurua busti i Pjetër Perlatit, gjeneralit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kryekështjellarit të kalasë së Stefigradit, që nuk u thye nga mizoritë e hodhive osmane.
Më në fund Stefigradi ra nga etja, por Gjergji i Madh ndërtoi kështjellën e re të Mordicës dhe vazhdoi epopenë e tij famëmadhe. Pjetër Perlati, legjenda e qëndresës mirditore e më gjerë kundër hordhive të ferrit turk, rikthehet në tokën e tij, në trojet e Perlatit i gdhendur në një monument madhështor. Zulma e shekujve tinëzare nuk e fshiu dot sharmin atdhetar të këtij emri ikonë, që vazhdon të ushqejë pemën vigane të krenarisë mirditore e shqiptare. Prelati Katolik dhe krahu i djathtë i Kryeprijesit të Arbërisë tanimë prehët në Perlatin e tij të dashur, ngjitur me Kryekullën jo vetëm të Dukëve, por të krejt shqiptarisë, në një komunikim të gjithëkohshëm me historinë dhe përditshmërinë e këtij dheu të shenjtë. Erdhe në Itakën tënde Gjeneral, pas një endje të gjatë në zgafellat e një historie të keqkuptuar, vigan dhe vizionar, për dje, për sot e për nesër, me shkëlqimin lebyrtës të pavdeksisë së një emri dhe një vepre emblematike!
Ajo që më bëri përshtypje dhe që jashtëzakonisht më pëlqeu nga Avokati i nderuar z.Alfred Duka (Di Pietro), dhe pa aspak modesti, para atyre intelektualëve dhe historianëve, ishte shprehja : – Unë jam njëri nga 3-4 mijë perlatasit pasardhës të Pjetër Perlatit (Duka)! Qofsh faqebardhë avokat Alfred Duka bashkë me skulptorin duarartë z. Benard Lekgegaj për këtë vepër madhështore që na nderon të gjithëve!