-Ese-
“Asnjë e re nga fronti i perëndimit” dhe gjimnazisti Paul Baumer, më pushtojnë sa herë kriset dhe thyhet paqja, si një degë e thatë lisi, në Lindjen e Mesme. Llogoret e Remarkut më fanepsen në sipërfaqen e mendimit sa herë që Gaza dhe Bregu Perëndimor i lumit Jordan, mbyllen…
Bota përsëri nën tamtamet e luftës…
Bibi Netanyahu, pseudonimi i fëmijërisë së Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, arroganti elegant, shpesh më ngjan në sjellje me komandantin e burgut, kolonel Winter, luajtur nga James Gandolfini në filmin “Fortesa.”
Me vetullën gjysmë ngritur, sikur është në çdo çast në pozicion luftarak, vëllai i Yonathan hebreu i vrarë nga palestinezët, se shpëtoi pasagjerët e një avioni të rrëmbyer nga komandot në UGANDËN që ra në duart e Idi Amin, autoritar modern dhe një lloj gangsteri politik në mendimin tim, me heqjen e të drejtës së gjykatës së lartë të Izraelit për të mos diskutuar vendimet e qeverisë.
Një figurë e ngjashme me konservatorin nacionalist Yitzhak Shamir, ish kryetar i partisë Likud, ish kryeministër dhe gjeneralin ultranacionalist me pullën e zezë në syrin e majtë Moshe Dayan, kapi edhe njëherë fokusin e axhanseve të botës.
Bibi, ky student absolut i universitetit No 1 në botë, Massachusetts Institute of Technology, ka edhe një herë në duart e tij rivendosjen e paqes me devizën historike “Tokë në këmbim të paqes!”
Ka në dorë rikthimin e një “Camp David” No 2, ku këtë herë mungojnë Ehud Barak, Yasser Arafat dhe Bill Clinton.
Historia e konfliktit izraelito-palestinez daton nga fundi i shekullit të 19-të, kur sionistët kërkuan të krijonin një atdhe për popullin hebre në Palestinën e kontrolluar nga osmanët, rajon që përafërsisht korrespondon me Tokën e Izraelit në traditën hebraike.
Sionistët e marin emrin nga mali i shenjtë Sion, që ndodhet në Izrael.
Luftërat më të ashpra në Lindjen e Mesme, janë në vitet 1967 dhe 1973.
Në vitin 1978 u mbaj samiti historik i Camp David, ku u arrit marrëveshja historike e paqes midis vendeve arabe dhe Izraelit, nënshkruar nga presidenti i Egjyptit Anwar El Sadat, kryeministri izraelit Menachem Begin dhe presidenti amerikan, demokrati Jimmy Carter.
Sadatit ju bë atentat në Kajro nga fondamentalistë islamikë, në tribunën e paradës ushtarake, pse tradhëtoi interesat e botës arabe sipas konceptit të tyre.
Vetë Sadat pasoi në pushtet një nga presidentët më të famshëm arabë Gamal Abdel Nasser dhe ky kishte përmbysur mbretin Faruk.
Historia e Lindjes së Mesme ngjason me një koloni koralesh të mbushur me naftë dhe gjak.
Nafta në vendet Arabe ndodhet në shkëmbinj koralorë, ndaj kosto e nxjerrjes është e vogël, nxirret në thellësira të vogla toke dhe sasia e naftës e madhe, sepse koralet janë si sfungjerë…
Sulmi i fundit i Hamas shënoi rikthimin në vitin 2000, para samitit të Camp David dhe vetëm dialogu mund të rivendosë paqen, duke nxjerrë nga loja Hezbollah, grupi militant islamik shiit libanez, që mbështetet nga Irani dhe vetë Republikën Islamike të Ayatollahëve ultrakonservatorë radikalë.
Dari dhe Kserksi, i persëve të lashtë, do të ishin si Shahu, e jo si Ayatollahët…
Kam qënë një dashamirës i Iranit të shahut Mohamed Reza Pahlevi, një mbreti modern, që herë herë më dukej se e kishte shndrruar Iranin si subjekti i filmit “Njeriu orkestër”, filmi që më nxiste të mendoja me frikë nga vetja, se diktatura mund të shpërbëhej.
Nuk kam njohur realisht një hebre, por Dr. Ravikun nuk mund të them se “nuk e njoh.”
Dhe “Lista e Shindlerit” është një “tragjedi e gëzuar”…
Oscar Schindler në fund ju drejtohet hebrenjve e ju thotë -Në kujtim të viktimave të panumërta në mesin e popullit tuaj, unë kërkoj të mbajmë tre minuta heshtje…
Sa herë e shoh atë film, një pyetje më godet në kokë… A i ka borxh bota e qytetëruar hebrenjve??
Sa do doja të flisja me Refik Veselin…
Palestinezë kam takuar rastësisht dhe…
Në bregun e liqenit Michigan në fund të “East Ohio street”, rruga ku banoja në Chicago, një buzëmbrëmje katër djem, diku tek mosha 25 vjeçare, më ndalën dhe më pyesin anglisht.
Ju përgjigja se -nuk ju kuptoj, nuk di anglisht.- Kaluan në një lloj ilariteti agresiv, që më bëri të shtrëngoja dhëmbët, (jam shqiptar). Nuk më ka ndodhur as sot një situatë e ngjashme prej më shumë se katër vjetësh që banoj në USA…
Ndërkohë një sirenë makine policie diku pranë dhe… ata sikur ta kishin bërë me fjalë u zhdukën me vrap si vjedhës bankash në tunelin, i cili kalon poshtë rrugës “Lake shore,” që lidh bregun e liqenit me qytetin.
Isha nisur për në shtëpi dhe kur mbërrita pas pak minutash, më ndali një mik nga Kuvajti, me të cilin luaja bilardo.
-Pse je i nxehur- më pyeti me “translate” në telefon.
I tregova ngjarjen…
U nervozua dhe më tha – miku im, ke shpëtuar mirë, se janë djem konfliktualë palestinezët…
Në mendjen time nuk dija të arsyetoja saktë ndarjet sektare fetare midis kuvajtianëve dhe palestinezëve, pasi konflikti Sunitët me Shiitët është i vjetër në ato vise, kuvajtianët janë Sunitë dhe palestinezët janë Shiitë, që të krijoja idenë sa më afër të vërtetës.
-Ne nuk i duam ata- më tha miku im, se janë sherrxhinj.-
Më erdhi në vemendje lufta sektare Iran-Irak në kohën e presidentit Saddam Hussein…
Ngjarja e mësipërme nuk më bëri antipalestinez, sepse kauzat qëndrojnë përtej individëve.
Ata janë një popull martir, që meritojnë të kenë shtetin në trojet e tyre dhe përgjegjës për këtë është bota arabe ashtu si edhe bota e qytetëruar.
Para se të formohej shteti i Izraelit në 1948, Jordania nuk e krijoi një shtet palestinez në bregun perëndimor të lumit Jordan…
Paqja është esenca e shpirtit njerëzor, që “ushqehet” me Lirinë, tokën dhe gjakun.
Njohja me palestinezët për kauzën e tyre fillon që prej viteve të herëshme, kur media e diktaturës dukshëm përkrahte Intifadën palestineze dhe Yasser Arafat, mbretin e Palestinës, i cili ka vizituar dhe Tiranën zyrtare në ato vite.
Hoxha kishte pritur delegacione të palestinezëve, ilegalë, në kongreset e partisë së Punës.
Paqja është produkt i njerëzve jo ilegalë.
Edhe vetë “Usta Hasani” i viteve të luftës në kafen Flora, nuk solli paqen sociale për popullin e tij me luftën famëkeqe të klasave.
Tokë në këmbim të paqes, është mënyra e vetme që tensionet të zerohen dhe krijimi i dy shteteve do të ngurtësonte ekuilibrat fluidë paqësorë, aq të dëshirueshëm në Lindjen e Mesme.
Të dielave zakonisht e pi kafen në Cambridge, në Blue Bottle coffee, përballë saj është një Starbucks Coffee i vjetër.
Shpesh e kam menduar Bibin sëbashku me Noam Chomsky në atë kafe e cila “njeh” pothuaj nobelistët e botës, pasi ata kanë “kaluar” nga “MIT dhe HARVARD”, që ndodhen pranë njeri tjetrit…
Pak më tej është një gradaçielë e qelqtë e kompanisë Akamai…
Studenti izraelit Danny Lewin i Tom Lighton , shkencëtar Dr. Profesor i shkencës së kombinatorikës në MIT, u vra ne avionin e parë, që u rrëzua në 11 shtator, ai u ngrit i pari dhe u përlesh me terroristët, shkroi kodin e kompanisë Akamai fillimisht dhe mbante pozicionin CTIO
Për lirinë të parët luftojnë ata që e kanë ndjerë mungesën e saj.
Unë besoj tek Bibi Netanyahu, besoj tek diplomacia dhe jo lufta.
Por që të ndodhë kjo, ai duhet të ndjekë një model tjetër kryeministri izraelit, atë të Yitzhak Rabin, vrarë nga një student ultranacionalist, i quajtur Yigal Amir.
Në mendimin tim, laburisti Rabin, është modeli më i mirë izraelit për të rivendosur paqen…
Bibi, ktheje “Murin e lotëve”, të ndërtuar nga mbreti Herod, në një muze të historisë botërore dhe tempull faljeje për paqen, jo shënjestër të plumbave, kështu fytyra jote do të stampohet me lotë dashurie Nënash në atë mur, të ngelur nga shkatërrimi i romakëve në vitet 70 të erës sonë, ku bënte pjesë pak vite më parë edhe gjenerali i famshëm Pons Pilati, të Tempullit të judenjve!
Bibi, ti je artist arkitekt i MIT dhe artistët janë paqësor.
Vendosi në njërën anë “yllin e Davidit me katër kolorëshin palestinez!”
Yonathan, vëllai yt, u vra për paqen…
BOSTON 10/27/2023