Sipas faqes së specializuar, Engadget, reklamuesve, burimi jetik i mediave sociale, nuk u ka pëlqyer formati i ri i publikimit të artikujve
Elon Musk vijon të ndryshojë imazhin e vjetër të Twitter dhe u jep një tjetër goditje mediave tradicionale.
Në rrjetin social X janë zhdukur titujt e artikujve që publikohen, ndërsa linku i burimit shfaqet brenda fotos, jo shumë i dukshëm, natyrisht.
“Estetika do të përmirësohet jo pak” – pati thënë sipërmarrësi pak kohë më parë për Fortune. Ndryshimi vjen thuajse një vit pas blerjes së Twitter nga Musk, i cili ndodhi zyrtarisht më 27 tetor 2022, pas një beteje ligjore dhe muajsh me paqartësi.
CEO i Tesla, i cili zotëron edhe SpaceX, e bleu rrjetin social me seli në San Francisko për 44 miliardë dollarë. Më pas erdhi një zhvillim tjetër, duke e ndryshuar emrin e Twitter në X, duke hequr nga përdorimi termat e famshëm “tweet” dhe “retweet”.
Ndryshimi i fundit tek artikujt e publikuar nuk është një surprizë. Fortune shkroi pak kohë më parë se kjo risi pritej dhe Musk e pati komentuar se kjo do të “përmirësonte ndjeshëm estetikën”.
Me këtë ndryshim, përdoruesit pasi të publikojnë një artikull në X, do të shohin vetëm foton e lajmit, duke mos e kuptuar menjëherë burimin e tij.
Edhe pse Musk thotë se arsyeja kryesore është estetika, dihet tashmë se sipërmarrësi nuk ka simpati për mediat tradicionale.
Ai po përpiqet të nxisë më shumë njerëz drejt “citizen journalism” dhe të publikojnë tekste më të gjata në platformë. “Gazetarët, që kërkojnë më shumë liri në shkrim dhe të ardhura shtesë, duhet të vijnë te ne” – shkroi Musk disa ditë më parë.
Në të shkuarën, Musk ka larguar dhe më pas i ka ripërfshirë – gazetarë nga media të ndryshme, mes të cilave Washington Post dhe CNN, si dhe ka vonuar aksesin në postime nga llogari të tilla si New York Times dhe media të tjera që e kritikojnë atë.
Sipas faqes së specializuar, Engadget, reklamuesve, burimi jetik i mediave sociale, nuk u ka pëlqyer formati i ri i publikimit të artikujve. Që me ardhjen e Musk, kompani të ndryshme janë larguar nga platforma, për shkak të frikës së rishfaqjes në X të postimeve ekstremiste dhe konspirative.
Disa ditë më parë, Komisioni Europian deklaroi se X është platforma online me numrin më të madh të keqinformimit. Ndryshimi i madh i ardhshëm i X mund të jetë pagesa për një abonim mujor në platformë.
/ ANSA