Sipas IDC, rritja e investimeve në Inteligjencën Artificiale gjeneruese është më shumë se dyfishi i ritmit të rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të IA dhe 13 herë më e lartë se CAGR për shpenzimet e IT në botë gjatë së njëjtës periudhë
Duket se thuajse të gjitha kompanitë e mëdha po gjejnë mënyrën për të përfshirë Inteligjencën Artificiale në planet e tyre të biznesit, duke investuar në ndërtimin apo adoptimin e modeleve gjeneruese të Inteligjencës Artificiale, për të kryer detyra specifike.
Një raport i ri parashikon se shpenzimet do të rriten. International Data Corporation (IDC) parashikon që brenda vitit 2027, shpenzimet për zgjidhje të IA gjeneruese, që përfshijnë software, hardware të infrastrukturës përkatës dhe shërbime IT / biznesi të nevojshme për zbatimin e IA gjeneruese, do të arrijnë 143 miliardë dollarë.
Sipas parashikimeve të IDC, kompanitë do të investojnë thuajse 16 miliardë dollarë në gjithë botën në këto zgjidhje të IA gjeneruese në vitin 2023, duke përfaqësuar një normë të përbërë të rritjes vjetore (CAGR) prej 73.3% gjatë periudhës së parashikimit 2023-2027.
“Inteligjenca Artificiale gjeneruese është më shumë se një tendencë kalimtare apo një reklamë e thjeshtë. Bëhet fjalë për një teknologji transformuese me implikime dhe ndikim të gjerë në biznes”, – deklaroi Ritu Jyoti, zëvendëspresident në IDC.
Për krahasim, sipas IDC, rritja e investimeve në Inteligjencën Artificiale gjeneruese është më shumë se dyfishi i ritmit të rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të IA dhe 13 herë më e lartë se CAGR për shpenzimet e IT në botë gjatë së njëjtës periudhë. IDC parashikon se investimet do të ndjekin një progresion të natyrshëm në vitet e ardhshme, me kalimin e kompanive nga eksperimentimi i hershëm te ndërtimi agresiv e deri te përdorimi i gjerë.
“Ritmi i shpenzimeve për Inteligjencën Artificiale gjeneruese do të jetë, në njëfarë mënyre, i kufizuar deri në vitin 2025, për shkak të vështirësive në ndryshimet e ngarkesës së punës dhe shpërndarjes së burimeve, jo vetëm në lidhje me silicin, por edhe në rrjete, struktura, besimin te modelet dhe aftësitë e Inteligjencës Artificiale”, – tha Rick Villars, zëvendëspresident i grupit IDC.
Brenda fundit të periudhës së parashikimit, IDC pret që shpenzimet për Inteligjencën Artificiale gjeneruese do të përfaqësojnë 28.1% të shpenzimeve të përgjithshme për IA, në rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2023, kur shpenzimet për IA gjeneruese përfaqësonin vetëm 9%.
/ ZDNet