Njeriu në periudhat e hershme të tij identifikohej vetëm nëpërmjet emrit që mbante, por me kalimin e kohës identifikimi u bë i vështirë dhe gati gati i pamundur për shkak të rritjes së popullsisë dhe të personave me të njëjtin emër.
Pati një periudhe që emri John dhe Smith u bënë aq popullorë dhe aq të përhapur në Europë sa që përbënin rreth 25-30% të popullsisë mashkullore në zona të vogla, që pamundësonte dallimin e njërit John apo Smith nga të tjerët. Kjo situatë krijoj nevojën që njeriu të kërkonte dhe të gjente elementë të tjerë dallimi apo identifikimi. Ketë gjë e bëri elita, aristokracia e shekullit të XI kur filloi të përdorte mbiemrin si element dallues. Kjo bëri që shekulli i XI të konsiderohet si koha e fillimin e përdorimit të mbiemrit. Në vitet dhe shekujt në vijim mbiemri filloi të përdorej edhe nga popullsia e qyteteve dhe më vonë, në shekullin XVI nga e gjithë popullsia. Është pikërisht kjo periudhë (shekulli XI-XVI) që edhe popullsia shqiptare nisi të përdorë mbiemrin. Çdo studim në linjën e mbiemrave nga njëra anë nuk mund të shkojë përtej shekullit XI dhe nga ana tjetër teza se mbiemrat shqiptarë kanë filluar të përdoren dhe të shkruhen vetëm pas shpalljes së pavarësisë është pa bazë shkencore. Është tjetër gjë periudha e përdorimit të mbiemrave nga popullsia dhe tjetër gjë periudha e shkrimit të mbiemrave në gjuhën shqipe. Ka dhjetëra evidenca që dëshmojnë përdorimin e mbiemrit nga shqiptarët por të shkruar në gjuhën Latine, Osmane, Italiane, Gjermane etj.
Mbiemrat e parë ishin mjaft të thjeshtë dhe të përkohshëm, por me kalimin e viteve u bënë më të larmishëm, më kompleksë dhe filluan të mbarten nga njëri brez tek tjetri në linjën mashkullore. Ato, nga një element dallues, mbiemër i një personi, dalëngadalë u bënë emra familjesh, fisesh (llagap). Është mëse e qartë se qëllimi fillestar i krijimit të mbiemrit ishte dallimi i njerëzve nga njeri-tjetri. Por kur filluan të mbarten brez pas brezi apo të trashgohen atëhere mbiemrat shërbyen edhe për të shmangur martesat brenda fisit gjithashtu edhe për të rregulluar lidhjet, bashkëpunimin, raportet dhe qeverisjen me komunitetet (fiset) e tjera.
Për arsye e rrethana të ndryshme mbiemrat kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme. Gjejmë shumë pak mbiemra që nuk kanë pësuar ndryshime. Së pari, mbiemri si çdo fjalë tjetër, ndryshe artikulohej dhe flitej nga mbartësit e tij dhe popullsia lokale dhe ndryshe shkruhej në gjuhë të ndryshme. Kjo solli ndryshime të shumta, sidomos kur shkrimi i tij ka kaluar nga një gjuhë në tjetrën. Së dyti çdo pushtues ka lënë gjurmë ndryshimesh në mbiemrat tonë. Në mesin e mbiemrave tane gjejmë gjurmë Romake, Sllave, Osmane, Greke etj. Së treti dëshira e njerëzve: gjithmonë tek njerëzit ka ekzistuar dhe eksiston një tendencë apo dëshirë për të ndryshuar, zëvendësuar apo përshtatur mbiemrin e tyre me kohën. Kjo dëshirë, sot mund të shihet si jo e përshtatshme në aspektin shkencor.
Hulumtimi i mbiemrave është i nevojshëm dhe me rendësi shkencore sepse çdo mbiemër, së pari mbart gojëdhëna dhe legjenda të bukura, interesante dhe unike. Kjo na ndihmon të mësojmë origjinën dhe kuptimin e tij, historinë dhe prejardhjen e të parëve tanë etj. Së dyti, janë vetëm meshkujt që e kanë dhe trashëgojnë në linjën e tyre kromozonin Y, studimi të cilit ka rëndësi thelbësore jo vetëm për shëndetin dhe sëmundjet por edhe për strukturën gjenetike të popullsisë, për lidhjet, afërsitë, distancat mes njerzëve, migrimet dhe drejtimet e tyre. Nisur nga ajo që mbiemrat trashgohen në linjën mashkullore, ato sherbejnë më së miri si një mjet shumë i vlefshëm për të lehtësuar dhe mbeshtetur hulumtimet gjenetike.
Hulumtimi i mbiemrave bëhet më i lehtë nëse i klasifikojmë sipas një metodologjie. Klasifikimi më i thjeshtë dhe që përdoret nga shumë autorë është ai i origjinës. Ketë klasifikim përdora për studimin e mbiemrave të popullsisë së Kukësit dhe më rezulton se katër grupet më kryesorë të tij janë (i) ato me origjinë nga emrat e paraardhësve (patronimet) që duket se përbëjnë shumicën, si Asllani, Arifi, Avdyli, Abazi, Alia, Idrizi, Imeri, Jonuzi, Kadrija, Maliqi, Myftari, Mustafa, Rexhepi, Sadiku, Esati, Fetahi etj (ii) ato me origjinë fetare si Shehu, Hoxha, Dervishi, Prifti etj (iii) ato me origjinë nga vendbanimi i mëparshëm si, Kosova, Gjakova, Prizreni, Dibra, Drenica, Dobruna, Cahani, Juniku,, Zhuri etj. Në ketë grup duket se lidhja me vendbanimin e mëpërparshëm ka qenë më e fort se me mbiemrin që mbanin paraardhësit dhe (iv) ato me origjinë nga profesionet si Kovaçi, Terziu etj. Një burim i mirë për hulumtimin e mbiemrave janë listat e zgjedhësve sepse ato janë publike (neni 56 i kodit zgjedhor), janë renditur sipas rendit alfabetik të mbiemrit dhe përmbajnë të gjithë shtetasit me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se në listë janë të gjithë shtetasit me vendbanim aty, të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe që kanë mbushur moshën 18 vjeç në datën e zgjedhjeve.
Në vijim 10 fakte në lidhje me mbiemrat sipas listës së zgjedhësve:
1. Në Kukës, sipas listës së zgjedhësve të 14 Maj 2023 ka 1468 mbiemra që ju përkasin 45828 qytetarëve.
2. Mbiemri “Shehu” mban vendin e parë për nga numri i personave që e mbajnë atë dhe ai ndiqet nga mbiemri “Cenaj”. Për nga shtrirja në territor mbiemri “Hoxha” mban vendin e parë i ndjekur nga mbiemri “Shehu” ndërsa mbiemri “Cenaj kalon në vend të gjashtë. (Hoxha në 34 QV; Shehu në 31 QV dhe Cenaj në 21 QV)
3. Kukësi mban vendin e parë në Shqipëri për mbiemrat më të shkurtër ose me më pak shkronja. Kemi mbiemra me dy germa si mbiemri “Le” në Tërthore, “Er” në Qytet dhe me tre germa mbiemri “Ese” në Topojan dhe mbiemri “Isa” në Zapod.
4. Lista ka 491 mbiemra që ju përkasin 491 qytetarëve ose e thenë ndryshe kemi të bëjmë me një mbiemrër që i përket një qytetari. Gjithashtu lista ka 159 mbiemra që ju përkasin 318 qytetarëve ose e thenë ndryshe kemi të bëjmë me një mbiemrër që i përket dy qytetarëve.
5. Mbiemrat tradicional në Kukës përbëhen nga një fjalë e vetme, por kohët e fundit duke shfrytëzuar të drejtën që garanton Kodi i Familjes, ka filluar një erë e re në krijimin e mbiemrave, si mbiemra me dy fjalë të ndara, mbiemra që kanë si bazë dy mbiemra, atë të vajzërisë dhe të bashkëshortit si mbiemrat: Ademaj Gashi, Axhami Zeneli, Bardhi Ajeti, Çeku Syla, Çoti Gashi, Fanaj Muja, Gërmizaj Ramadani, Gjoka Arifaj, Halili Arifaj, Hyseni Kastrati, Koloshi Gashi, Kovaçi Aliu, Lala Zeqiri, Nixha Selimaj, Onuzi-Sejdii, Selaj Gashi, Sinanaj Bytyqi, Tara Pozhegu.
6. Mungon një standart gjuhësor në shkrimin e mbiemrave! Dukshëm evidentohet fakti se në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (lista e zgjedhësve) ka mbiemra të regjistruar në dy, tre, katër apo pesë forma, si mbiemri “Mesaj, Mësaj, Mësaja, Musaj, Musaja”; mbiemri “Alia, Aliaj, Alija, Alijaj”; mbiemri “Prizerendi, Prizereni, Prizreni”; mbiemri “Brahimaj, Brahimi, Braimi”; mbiemri “Rexhmata, Rexhmataj, Rexhmati” mbiemri “Haxhiu, Haxhija, Haxhia, Haxhiaj”; mbiemri “Isufi, Isufaj, Isufai” mbiemri “Terzia, Terziu, Tereziu, Terezia” mbiemri “Tafhasi, Tafhasaj, Tafazi”
7. Mungon standardi gjuhësor në shkrimin e mbiemrave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile! I njëjti mbiemër i shkruar me gërma të ndryshme:
a) Disa me “ç” disa me “q” si rasti i mbiemrave: Hallaçi apo Hallaqi; Saraçi apo Saraqi; Bytyçi apo Bytyqi; Krruçi apo Krruqi; Thaçi apo Thaqi, Vllaça, Vllaqa etj
b) Disa me “e” disa me “ë” si rasti i mbiemrave: Kerxhaliu apo Kërxhaliu; Nerguti apo Nërguti; Pershqefa apo Përshqefa, Përzhita apo Perzhita.
c) Disa përfundojnë me “a” disa me “j” si rasti i mbiemrave: Zela apo Zelaj; Visha apo Vishaj; Tafa apo Tafaj; Sulmata apo Sulmataj; Sufa apo Sufaj; Shpata apo Shpataj; Pepkola apo Pepkolaj
d) Disa përfundojnë me “i” disa me “j” si rasti i mbiemrave: Memishi apo Memishaj; Zyberi apo Zyberaj; Rrahmani apo Rramanaj; Rexhepi apo Rexhepaj; Xhaferi apo Xhaferaj; Tahiri apo Tahiraj.
Së fundi, me të drejtë lindin disa pyetje: Kur kanë filluar të përdoren mbiemrat nga popullsia e Kukësit? Cilët janë mbiemrat më të vjetër? A duhet të kemi një standard gjuhësor në shkrimin e mbiemrave? Pas një standardi gjuhësor dhe historik, sa mund të jetë numri i mbiemrave që ju përkasin 45,828 qytetarëve? Si mund të përdoren 1,468 mbiemrat aktual për hulumtimet gjenetike? Sa të afërt dhe të largët janë mbiemrat e Kukësit njëri më tjetrin?
New Jersey
Tetor 2023