Ju presim këtu !
Presin bijtë, të djegur mallit për të festuar.
Në balada dhimbjesh fshijnë sytë e përgjumur,
Me keqardhje shikojnë në pjergullën e trishtuar,
Shamitë e dasmës, në lulet e saja, tretur e humbur.
Malli e dhimbja u dogji shpirt e zemër,
Njeri – tjetrit në heshtje i fshijnë lotin e nxehtë,
Sa donin një cicërimë nipash, një zë të ëmbël…!
Të dëgjonin nëpër shtëpi hapat e tyre të lehtë.
Mesditët ndrrohen e dielli djeg lart si furrë,
Por në sytë e tyre ngjan me një disk të shuar,
Sikur rend tatëpjetë, pas kodrave në Tërbuf,
Dhe perëndimi mbulon ëndrrën e copëtuar,
Ah, perëndimi, sa nuk donin, kaq shpejt të vinte,
Ç’bëhet me bijtë atje larg, si u harruan kështu!?
Dhe flasin me heshtjen nëpër shtëpi, me dhimbje.
Mos lini të na marrë pa u parë…! Ju presim këtu.