Pyetje: Si ndikojnë emocionet në ekuilibrin e diabetit?
Ekuilibri i diabetit është shumë i ndjeshëm ndaj emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Ekziston një lidhje e ngushtë funksionale ndërmjet sistemit endokrin dhe atij nervor. Qetësia shpirtërore dhe emocionale, stabilizon gliceminë dhe lehtëson kontrollin e diabetit. Në të kundërt shqetësimet, fatkeqësitë, grindjet, ankthi dhe frika, në përgjithësi pasohen nga çlirimi në gjak i adrenalinës dhe kortizolit, hormone që bllokojnë veprimin e insulinës, duke u bërë shkak për rritjen e glicemisë. Në këtë rast mund edhe të lindë nevoja për të rritur dozën e zakonshme të mjekimit që ju përdorni.
Pyetje : A është i shpeshtë depresioni te njerëzit me diabet?
Studimet tregojnë se njerëzit me diabet kanë depresion më shpesh se njerëzit e tjerë. Depresioni është më shumë se një mërzitje apo prishje kalimtare humori.
Njerëzit me diabeti shpesh ndjehen të shqetësuar për shëndetin, të ardhmen, dhe strese të tjera të jetës. Ndikim ka dhe stresi për kontrollin e përditshëm të diabetit, disa komplikacionet e tij si dëmtimet e nervave, dhimbjet etj. Depresioni ndikon në ecurinë e diabetit, largon dëshirën për vetëkontroll, apo për trajtimin e duhur.
Më parë duhet të njihni simptomat e depresionit, të cilat janë:
• Humbja e kënaqësisë. Nuk keni më interes për gjëra që më parë i pëlqenit;
• Probleme me gjumin. Ju zë me vështirësi, zgjoheni shpesh gjatë natës ose dëshironi të flini më shumë se zakonisht, madje dhe gjatë ditës;
• Zgjoheni më herët se zakonisht dhe nuk ju zë më gjumi përsëri;
• Ju ndryshon oreksi, hani më shumë ose më pak se më parë, që rrezulton në shtim të shpejtë në peshë ose rënie në peshë;
• Keni vështirësi në përqendrim, nuk jeni në gjendje të ndiqni një program televiziv ose të lexoni diçka, sepse ju vijnë në kokë mendime të tjera;
• Keni humbje të energjive, ndiheni i lodhur gjithë kohën;
• Keni nervozizëm të shtuar, ndjeheni ankth gjithë kohën dhe nuk mund të rrini në një vend;
• Ndiheni fajtor pa arsye. Ju duket se “asnjëherë nuk bëni gjë të saktë”;
• Zgjoheni që në mëngjes i lodhur dhe ndiheni keq;
• Keni mendime të këqija, dëshironi të vdisni ose mendoni mënyra si të vrisni veten.
Nëse keni tri ose më shumë nga këto simptoma ose keni vetëm një ose dy, por ndiheni keq për mbi dy javë, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.
Duhet të keni parasysh gjithashtu se diabeti i pakontrolluar mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me depresionin. Gjatë ditës, sheqeri i lartë ose i ulur mund t’ju bëjë të ndiheni ankth. Rënia e sheqerit mund të shkaktojë uri dhe ngrënie të tepërt. Rënia e sheqerit gjatë natës mund t’ju çrregullojë gjumin. Rritja e sheqerit gjatë natës shton urinimin, ju prish gjumin, duke bërë që të ndiheni i lodhur gjatë ditës.
Shkaqe të tjera fizike të depresionit janë:
• Abuzimi me alkoolin ose droga;
• Probleme të tiroides;
• Efektet anësore të disa medikamenteve.
Trajtimi i depresionit është psikoterapia dhe mjekim medikamentoz nga specialist