PYETJE PËR DIABETIN
Pagjumësia, në përgjithësi është shumë e shpeshtë. Ajo mban zgjuar çdo natë miliona njerëz (1 në 6 persona), gjë që shpjegon dhe përdorimin masiv të medikamenteve për gjumë.
Pagjumësia mund të mos ketë shkak probleme shëndetësore por mund të shkaktohet nga sëmundje si depresioni, artriti etj. Ajo mund të jetë kronike (për muaj e vite) ose e përkohshme (për ditë ose javë).
Arsyet e pagjumësisë janë komplekse, por më e rëndësishmja është rritja e aktivitetit të sistemit nervor simpatik, që pasohet me rritjen e nivelit në gjak të kortizolit dhe katekolaminave, hormone këto që veç veprimeve të tjera, kundërshtojnë veprimin e insulinës dhe për pasojë ndikojnë në ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak.
Çrregullimet e gjumit janë të zakonshme te njerëzit me diabet dhe kanë ndikim mbi kontrollin e glicemisë. Veç shkaqeve të zakonshme që takohen te gjithë njerëzit, te ata me diabet pagjumësia favorizohet nga dhimbjet dhe djegiet e shputave të këmbëve nga neuropatia që rëndohen gjatë natës, urinimi i shpeshtë, kur diabeti është i çekuilibruar, që detyron të ngrihesh disa herë gjatë natës, si dhe gërhitja e fortë, e në disa raste ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit (apneja e gjumit), gjendje e rrezikshme kjo, që si edhe gërhitja, favorizohet nga obeziteti.
Përmirësimi i gjumit është po aq i rëndësishëm sa edhe përmirësimi i dietës dhe aktiviteti fizik, mbasi ndikon në përmirësimin e kontrollit të diabetit.
Para se te zgjidhni një medikament për gjumë, duhet të ndërmerrni disa masa praktike dhe vetëm mbasi këto të dështojnë, duhet të filloni një mjekim.
Ndryshimet në stilin e jetës shpesh janë më të efektshme se mjekimi. Në pagjumësi ndikon konsumi i tepërt i kafeinës, alkoolit, nikotinës, stimulantëve që ju mbajnë zgjuar. Ndikon ngrënia e darkës shumë afër kohës që shkoni në shtrat ose në ndonjë rast dhe fjetja në shtrat të përbashkët.
Kuptohet që me shumë rëndësi është ekuilibri i diabetit, mbasi nëpërmjet tij zhduket urinimi i shpeshtë, që ju zgjon shpesh gjatë natës, përmirësohet neuropatia dhe zhduken dhimbjet. Për këto të fundit përdoren dhe medikamente qetësuese.
Me shumë vlerë është rënia në peshë e cila përmirëson gjumin, pakëson gërhitjen dhe ndërprerjet e frymëmarrjes gjatë gjumit.