Nga Emi Kalaja
“Në provincë gratë nuk dinë të bëjnë politikë , punë shtëpie dhe boll…”. Ky është një ligj i pashkruar në Malësinë e Madhe, nje e njohur për trimërinë dhe historitë e burrave, ndërsa inteligjenca dhe kontributi i grave është injoruar shpeshherë.
Megjithatë Mimoza Rexhvelaj, që nga mosha e saj e re, ka qenë e vendosur ta kundërshtojë këtë ligjësi të parashkruar për një vajzë province. Pas vdekjes së babait të saj, i cili kishte kaluar 12 vite në burgun politik të Spaçit, ajo ka pasur një frymëzim të veçantë për të ndjekur gjurmët e tij. Mimoza ka dhënë një kontribut të palodhshëm në Partinë Demokratike për më shumë se 30 vjet.
Në moshën 15 vjeçare , ajo merr pjesë në Forumet Rinore, pastaj shërben si Kryetare e Organizatës së Grave në zonën e Gruemirës ku vazhdon dhe sot dhe në vitin 2015 merr votëbesimin si këshilltare bashkiake për një mandat. Tashmë është pjesë e Këshillit Kombëtar të rithemelimit të PD-së. Krahas këtij angazhimi, Mimoza Rexhvelaj nuk ka hezituar asnjëherë të investojë në arsimin e saj, duke përfunduar me sukses dy fakultete dhe një program master në etnokulturë. Ajo është autore e katër librave dhe ka fituar dhjetëra çmime dhe mirënjohje në fushën e krijimtarisë.
Megjithë formimin dhe kontributin e saj të qëndrueshëm, Mimoza ndihet e përjashtuar praktikisht nga çdo garë politike në zonën e saj.
Herën e fundit,ajo vendosi të kandidohej për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe në prag të zgjedhjeve lokale 2023. Në një garë me dy burra të zonës, u vu re se ajo gëzonte një mbështetje të madhe. Ditën e votimit më 25 prill 2022, situata u tensionua deri në thyerjen e kutisë së votimit dhe anulimin e zgjedhjeve. Pas ndërhyrjes së komanduar, u caktua një burrë kryetar i degës.
Në vendimin e sjellë nga Komisioni i Apelit dhe Vlerësimit të Faktit i Partisë Demokratike thuhej që për një vit Mimoza nuk kishte të drejtë të garonte duke humbur kështu mundësinë e përfshirjes në zgjedhjet për Bashkinë Malësi e Madhe.
“Kjo situatë është qesharake deri në dhimbje“ thotë Mimoza gjatë bisedës me ne. “Jam ndjerë gjithmonë si mish i huaj, e përjashtuar pa asnjë arsye të vlefshme. Nuk mundën të gjenin asnjë mangësi në përvojën dhe kontributin tim, as nga prejardhja familjare si vajza e një të persekutuari politik, as nga përkushtimi i vazhdueshëm ndaj politikës dhe intelektin im. Jam prej shumë vitesh arsimtare , gëzoj një status si nëna e tre fëmijëve ekselent , por gjithmonë në çdo garë emri im fshihet, spostohet , zëvëndësohet.”
Mimoza rendit disa shembuj për këtë. ”3 herë nuk më sollën kandidaturën për kryetare komune. Thuajse në të gjitha zgjedhjet parlamentare, është kërkuar nga baza emri im si deputete, por nuk u listova asnjëherë. Tre herë isha e propozuar për kryetare gruaje. Dy herë nuk më sollën emrin. Ndërsa herën e vetme që ishte emri im në listë, votuan burrat.”
Pas 30 vitesh brenda politikës, ajo thotë se ka mësuar se në politikë janë pranuar gra që janë shpesh vetëm dekore, ato që nuk kanë ambicie të mëdha se burrat , dhe mbi të gjitha ato që heshtin, duke iu nënshtruar liderëve të tyre burra.
“Unë nuk jam e tillë”, thotë Mimoza. “Kam dëshiruar të sjell në politikë modelin e një gruaje që mendon me kokën e saj. Por duket se hapësira për gratë është duke u ngushtuar dita për ditë dhe energjitë e mia po ulen. Keqardhja ime është se pas përvojës sime dhe mungesës së hapësirës, në Malësinë e Madhe nuk ka gra dhe vajza të tjera që duan të angazhohen në politikë.”