Nuk erdhi grindja si stuhi behari
kur mbush përrenj zemërakë,
që në inatin e tyre gjysmën e ujit,
e zbrazin rrugës së gremisur.
Ike si stinë e arratisur…
Të kërkoj në legjendat e hartave të gjumit
netëve të ngrira në qepallat e mia,
ti ecën si peshku në të kundërt të rrymës.
Mungesa
nuk mbushet si delta e lumit nga vërshimet pranverore,
dhe as njehsohet me vakte të pangrënë mëngjeseve të zhveshura.
Çastet e trishtimit të çmendurisë së ndezur kanë frymën tënde
dhe nuk i ngjajnë humbjes së fluturimit, përtej horizontit
në shtegtimin e një flamingoje.
Dua të të shoh,
që të mos imagjinoj ardhjen tënde
si shigjeta e një busulle që tradhton vetëm për një çast veriun.
Dua që rrugët e tua
të përfundojnë në një stacion,
që ndodhet para vdekjes sime.
K.F.
BOSTON 08/14/2023



