Thethi është një luginë me pamje mahnitëse dhe histori shumëshekullore. Vendasit i janë kthyer me investime në hoteleri, sepse rruga e asfaltuar që lidh Shkodrën me Thethin, punë e realizuar nga paraardhësit e Benetit (që të kuptohemi), kishte krijuar mundësi të reja për një turizëm, pse jo, elitar.
E pashë me sy, se turizmi malor ka të ardhme të shkëlqyer në vendin tonë, nëse do plotësohet me infrastrukturën e duhur në gjithkuptimin e fjalës. Qindra turistë nga vendet e BE-së kishin “pushtuar” Thethin për të eksploruar bukuritë e natyrës së virgjër të Alpeve. I takuam pranë Kishës në të cilën At Shtjefën Gjeçovi kishte hapur shkollën shqipe në 1919 në Theth, i takuam te Kulla e Ngujimit mbi shkëmb, te vaskat që kishte formuar vërshimi i ujit mbi shkëmbinj, te Ujvara e bukur, te “Syri Kaltër”, gjatë gjithë rrugës.
Dy janë sfidat e komuniteteve të asaj zone:
-Përmirësimi i kulinarisë me ushqime tradicionale dhe shërbimeve.
-Ruajtja e ambjentit nga mbeturinat, sepse kishin filluar kanaqet dhe plastikat gjatë anës së rrugës.
Interesante Kulla e Ngujimit. Sokoli, pinjolli i Familjes që e kishte në pronësi bënte edhe ciceronin. Ajo Kullë është më shumë se legjendë, është shembulli i rezistencës dhe organizimit vetqeverisës në shekuj të shqiptarve. Ka shërbyer si vend gjykimi, por edhe hetimi e paraburgimi. Kjo Kullë është simbolika e Të Drejtës Dokesore Shqiptare, monument i rrallë, por që kërkonte ndihmën e shtetit për mirmbajtjen dhe restaurimin e saj.
Sokoli, një dukagjinas krenar, që rrëfente me pasion gjithshka dinte nga procesi që zhvillohej në atë Kullë, na përcolli me melodi. Këputi një gjethe blini aty afër Kullës dhe si vlla që të kam, tha, dua të përcjellë pak si ndryshe nga të tjerët. Dhe interpretoi një melodi me gjeth, si për të përmbyllë domethënjen e lashtësisë së atyre trojeve.
Po i kthehem pak Mirditës, meqë ra fjala. Mungesa e infrastrukturës e pengon turizmin malor në Mirditë në nivele të tilla që pashë në Theth. Munella, Bjeshkët e Kaçinarit e Velës, Bjeshkët fantastike të Oroshit e Fanit, të Selitës e Lurës, janë mrekulli natyrore që do të mjaftonin për të patur një turizëm masiv në Mirditë. Por infrastruktura është kusht “pa të cilën”.
Thethi ishte edhe afër, 3 orë nga Lezha, një mundësi për të kombinuar pushimet e detit me malin.
Ja vlente mbyllja e pushimeve me një udhëtim të shkurtër dy ditorë në një zonë që patjetër do ti kthehem përsëri…më gjatë.













