Me ftesë të Kryeministrit të rizgjedhur të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis të hënën dhe të martën isha në Athinë për të marrë pjesë në darkën me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u takuar e bashkëbiseduar me homologë e partnerë edhe përtej Ballkanit Perëndimor.
Para e pas saj, përgjatë dy ditëve zhvillova takime dypalëshe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në darkën që shënonte edhe 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, u ritheksua edhe një herë mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe rruga përpara, teksa në prezencën e Presidentit të Ukrainës, Zelenskyy u konfirmua mbështetja e palëkundur për Ukrainën dhe u bë thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim të krimeve të kryera gjatë luftës nga agresori rus.
Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, të pranishëm ishin Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.












