Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kurorën e gjelbër të qytetit të Laçit pranë rrugës që të çon në kishën e Shna Ndout.
Zjarri është përhapur në një sipërfaqe të madhe duke vënë në rrezik zonën e banuar.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile, ndërsa është ndërhyrë edhe nga ajri.
50 efektivë të Forcave të Armatosura, helikopteri Cugar, 2 mjete zjarrëfikëse të FA dhe 4 mjete zjarrëfikëse nga MZSH Kamëz, Lezhë dhe Mirditë janë mobilizuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit masiv në bashkinë e Kurbinit. Situata është sfiduese për shkak të terrenit të vështirë, ku zjarri është përhapur shpejtësisht“, njoftoi në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Ndërsa ministri i Brendshëm Taulant Balla shkroi në rrjetet sociale se kjo është një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti.
“Ndërsa forcat zjarrëfikëse të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç)”, shkroi ministri.