Karabinierët e Komandës së Stacionit San Piero a Ponti arrestuan një 33-vjeçar shqiptar me akuzën e vjedhjes në një shtëpi në bashkëpunim me një person aktualisht të panjohur.
I riu shqiptar është arrestuar në Itali sapo ka dalë nga banesa që kishte grabitur.
Karabinierët e ndaluan 33-vjeçarin në një rrugicë, pas denoncimeve të banorëve të zonës që kishin vënë re dy persona, të cilët synonin të hynin brenda shtëpive.
Gjithashtu alarmin e ka dhënë edhe telefonata e zotit të shtëpisë 62-vjeçar i cili sapo ishte kthyer në banesën e tij kishte gjetur dritaren e thyer dhe orenditë e plaçkitura.
Sipas mediave lokale, 33-vjeçari u ndalua teksa ende e kishte të mbuluar fytyrën me një kapuç dhe mbante veshur rroba të zeza e doreza.
Në momentin e ndalimit ai kishte me vete edhe mjete për grabitje dhe një këllëf jastëku plot me bizhuteritë e vjedhura.
Ai u shoqërua në rajonin e policisë së zonës.



