Gjatë gjithë gushtit po festohet masivisht në sheshet kryesore të qyteteve shqiptare. Edhe në qytetin tonë Lezhë festohet me këngëtar e muzikantë nga më të mirët.
Parimisht festimet dhe koncertet janë shënjë e mirë. Sidomos në Shqipëri, pasi njerëzit, sidomos ata që janë kthyer nga emigracioni për të kaluar ca ditë me familjet e tyre, bashkohen dhe kalojnë çaste të bukura së bashku.
Po a është kjo një tregues real i mirëqenies dhe i lumturisë?
Krahasim:
Me 17 shtator 1989, kur diktatura komuniste po jetonte krizën më të thellë ekonomike dhe financiare, kur vendi ndodhej në pragun e urisë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë dhanë një koncert madhështor këngëtarët e famshëm Al Bano Carrizi dhe Romina Power. Isha në vitin e fundit të fakultetit. Arritëm të gjejmë bileta me çmim dy e trefish dhe bashku me disa shokë mundëm të jemi në stadium. I pari i atij lloji në Shqipëri. Për rreth dy orë harruam çdo hall dhe vështirëi nga jeta jonë e përditshme studentore. U përfshimë në vorbullën e çmendur të atij koncerti madhështor.
Dhe pas koncertit, rifilloi jeta normale.
Në këmbë e bëmë rrugën nga Tirana në Institut (Koder Kamëz).
Fjetëm të gëzuar, pamë ëndrra me çastet magjike të koncertit.
Dhe nesër përsëri gjithçka u kthye në normalitetin e vet.
Këngëtarët ikën në Itali.
Ndërsa ne studentët vazhduam ritualin e përditshëm: me bukë e çaj kinez me djathë kaçkavall në mëngjes. Supë dhe pastiçe në drekë. Dhe përsëri çaj e djath në darkë.
Sa për kureshtje djathi kaçkavall ishte prodhim bullgar i vitit 1974 (15 vjeçar)…….



