Përgatiti Simon Ulndreu
45 vende në botë nuk kanë dalje në det të hapur, të cilat përveçse konsiderohen të mbyllura, shumica e tyre janë ndër vendet më pak të zhvilluara. Ndër vendet pa dalje në det, dy shtete Lihtenshtejni dhe Uzbekistani, janë të rrethuara ekskluzivisht nga vende të tjera, gjithashtu pa dalje në det dhe për këtë arsye janë vende dyfish të mbyllura.
Tre shtete pa dalje në det, Lesoto, San Marino dhe Vatikani janë secila të rrethuar nga një fqinj i vetëm, me dalje në det. Gjashtë shtete të tjera, Andorra, Butani, Esvatini, Moldavia, Mongolia dhe Nepali, kufizohen secili me dy shtete fqinje, me dalje në det.
Vendi më i madh në botë pa dalje në det, për sa i përket sipërfaqes është Kazakistani. Kazakistani sëbashku me Azerbajxhanin janë të vetmet vende pa dalje në det që shtrihen në dy kontinente. Vendi më i populluar pa dalje në det është Etiopia me rreth 116 milionë banorë. Mongolia është vendi i dytë më i madh pa dalje në det për sa i përket sipërfaqes dhe një nga vendet më pak të populluara.
Qasja në tregtinë botërore:
Vendndodhja gjeografike e vendeve pa dalje në det e bën të vështirë pjesëmarrjen e tyre në tregtinë botërore, pasi kjo kryesisht kryhet në det në distanca të gjata. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, vendet pa dalje në det duhet të shpenzojnë mesatarisht 15% të të ardhurave të tyre nga eksporti për transportin ndërkombëtar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në zonat me infrastrukturë të varfër të botës së tretë. 31 nga vendet e njohura ndërkombëtarisht pa dalje në det konsiderohen vende në zhvillim dhe 17 prej tyre numërohen ndër vendet më pak të zhvilluara. Tetë nga dymbëdhjetë vendet më pak të zhvilluara të botës janë pa dalje në det.
Rrugët ujore të brendshme shpesh shërbejnë gjithashtu si akses për dalje në det. Më shumë se 10% e mallrave të importuara në Zvicër përpunohen nga Roterdami përmes Rinit drejt Bazelit. Po kështu operon edhe Austria, nga njëra anë nëpërmjet kanalit Rin-Main-Danub për në Linz, Krems, Vjenë dhe nga ana tjetër nga drejtimi i Detit të Zi, gjithashtu nëpërmjet Danubit drejt Vienës. Danubi është rruga qendrore e transportit ujor për vendet pa dalje në det si për Sllovakinë, Hungarinë dhe Serbinë. Për vendet që kufizohen me Detin Kaspik, përfshirë Kazakistanin, Turkmenistanin dhe Azerbajxhanin, Kanali Volga-Don ofron akses për dalje në det dhe oqean të hapur.
Pasojat e ndryshimeve politike:
Për shkak të ngjarjeve politike, harta ka ndryshuar vazhdimisht dhe bashkë me të edhe hapësirat e daljes në det të disa shteteve.
Me pavarësinë e Eritresë, Etiopia mbeti pa dalje në det. Ky fakt ishte një nga arsyet e rezistencës së Etiopisë ndaj pavarësisë së Eritresë, e cila kulmoi me fitoren e Luftës për Pavarësinë e Eritresë.
I ashtuquajturi Korridor polak, i cili u shfaq pas Luftës së Parë Botërore midis Prusisë Lindore dhe Rajhut Gjerman, ishte i një rëndësie të madhe për Poloninë e sapothemeluar për shkak të daljes në Detin Baltik. Porti në Gdynia (një vend i parëndësishëm para Luftës së Parë Botërore) u krijua sepse Polonia nuk mundi të mbështetej në qytetin e lirë të Gdańskut për eksportimin e mallrave.
Kufiri detar slloveno-kroat në Gjirin e Piranit shkaktoi gjithashtu konflikte midis dy vendeve për shkak të daljes në det. Me vendimin e Malit të Zi për t’u larguar nga Federata shtetërore Serbi&Mali i Zi, Serbia mbeti një vend pa dalje në det.
Në Luftën e Saltpeter të vitit 1879, Bolivisë iu desh t’i dorëzonte Kilit bregdetin e saj në Oqeanin Paqësor, duke e lënë Bolivinë një vend pa dalje në det. Edhe sot e kësaj dite, Bolivia kërkon vijën e saj bregdetare të humbur, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke e trajtuar konfliktin. Një traktat i përbashkët lejon tani, që 70% e eksporteve të Bolivisë të kalojnë përmes porteve kiliane.
Gjithashtu Austria, përveç disa ndërprerjeve të shkurtra, kishte akses të drejtpërdrejtë në Detin Mesdhe përmes portit të Triestes në Itali, nga viti 1382 deri në 1918. Në vitin 1956, Italia dhe Austria përfunduan një marrëveshje që rregullonte aksesin jodiskriminues në portin e Triestes dhe përdorimin e tij si një port i lirë për anijet, trenat dhe mallrat austriake.
Sudani i Jugut mbeti një vend pa dalje në det si rezultat i pavarësisë së tij nga Sudani, ndërsa Sudani i Veriut ka qasje të drejtpërdrejtë në Detin e Kuq.
Disa shtete të Azisë Qendrore, si Kazakistani, ishin shtete bregdetare si pjesë e Bashkimit Sovjetik, por mbetën pa dalje në det kur Bashkimi Sovjetik u shemb.
Shtetet europiane pa dalje në det:
*Kosova
*Lihtenshtejni
*Maqedonia e Veriut
*Austria
*Zvicra
*Serbia
*Sllovakia
*Çekia
*Hungaria
*Andorra
*Bjellorusia
*Luksemburgu
*Moldavia
*San Marino
*Vatikani.
Burimi:
https://de.m.wikipedia.org/wiki/Binnenstaat
(Për vendet me dalje në det, gjykoni vetë)