STUDENTËT REAGUAN NDAJ VENDIMIT të qeverisë të para pak ditëve, që i mban diplomën peng atyre për të punuar 5 vjet ku ka nevojë partia.
Qeveria nuk i pyeti studentët e nuk i bëri pjesë të kosultimeve e vendimmarrjes, nuk i lejoi të shprehin mendimet në komisionin parlamentar e as që i qasi brenda, por e kaloi turravrap në periudhë sezoni provimesh VKM, që godet të drejtat themelore të tyre.
E ata sot flasin në heshtje…
Një pjesë – shumë më tepër se vjet- me kosto më të ulët se gjoba që u vuri qeveria, preferojnë të shkojnë në institucione jopublike të arsimit të lartë; të tjerë – shumë më tepër se vjet- do të regjistrohen në universitete jashtë vendit; pjesa tjetër – shumë më tepër se vjet- do t’u duhet të hedhin poshtë gjithë mundin e përpjekjet e 10-ve të shkollës së mesmë, sepse, për arsye ekonomike, janë të detyruar të ndryshojnë degë studimi.
Kriza e mjekëve, jo vetëm që nuk zgjidhet, por do të thellohet më tej, që prej këtij viti dhe pyetjet që ngrihen mbi favorizimin e institucioneve të arsimit të lartë jopublik, misionin e universitetit publik dhe gjithë sistemit të lartë arsimor duket se s’marrin më vlerë ndaj eksodit të frikshlm historik të 10 viteve të fundit.
Largohen të rinjtë mjekë, inxhinierë, specialisë të informacionit, ekonomistë, profesionistë e mësues, largohen nga sytë këmbët profesionistë që kanë punuar 20 e 30 vjet në vend, largohen familjarë pa e kthyer kokën mbrapa, se kjo qeveri ia vështirëson studimet, jetesën, të ardhmen, dhe qëllimshëm i le në nivel mbijetese,
… largohen shqiptarët prej vendit t’vet … jo me dëshirë, po veç me detyrim.



