Konfliktet dhe rreziku i sigurisë. Shteti është pronari i vjetër, i vetëm dhe legjitim i sigurisë publike të çdo vendi, ndërsa arma është përdorur që në historinë e lashtë për të sulmuar ose për t’u mbrojtur, për të pushtuar ose për t’i mbrojtur territoret, për të siguruar ushqimin nga gjuetia e kafshëve, ose për t’u mbrojtur nga egërsia e tyre. Me evoluimin e shoqërisë njerëzore, ka evoluar edhe koncepti për strategjinë e përdorimit të armëve, në thelb të të cilit qëndrojnë përpjekjet për kufizimin e tyre në të gjithë botën. Shqetësimi i përhapjes së armëve dhe armatimeve, si mjete që shërbejnë për të realizuar qëllimet nëpërmjet përdorimit të forcës, i ka nxitur shoqëritë perëndimore gjatë shekullit të kaluar, të ndërtojnë mekanizmat ligjore për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Falë efikasitetit të këtyre mekanizmave, është reduktuar ndjeshëm jo vetëm prodhimi dhe shitja, por edhe përdorimi i armeve te zjarrit.
Në vendin tonë deri në fund të viteve ‘80-të, si rezultat i ideologjisë izoluese, vendi u militarizua në ekstrem, ndërsa arma në shërbim të kësaj ideologjie shkatërrimtare, u përdor për ekzekutimin e “armiqve të brendshëm” dhe si presion kundër “armiqve të jashtëm”.
Pas fitores së demokracisë, megjithë përpjekjet tona për ndërtimin e ekuilibrit të ri social, konfliktet gjatë tranzicionit kanë qenë të ekspozuara si në rrafshin politik, ekonomik, shoqëror ashtu edhe familjar, të cilat kanë krijuar edhe probleme të mprehta sociale. Dinamika e zhvillimit të konflikteve, disa prej të cilave kanë përfunduar me vrasje, ka treguar se institucionet tona, akoma nuk zotërojnë strategjinë dhe kapacitetet e nevojshme për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme brenda shoqërisë tonë. Ky boshllëk, duam apo nuk duam ne, ka rritur shqetësimin qytetar për sigurinë publike dhe nga ana tjetër është shfrytëzuar nga një kategori njerëzish, për të aplikuar metoda të jashtëligjshme në zgjidhjen e problemeve, një pjesë e të cilave jo rrallë kanë përfunduar edhe me vetëgjyqësi.
Për sa kohë që shteti anashkalon me indiferentizëm çrregullimet në sistemin e pronave, nivelin e papunësisë dhe të varfërisë, zbatimin e vendimeve të gjykatave, neglizhencën e të drejtave dhe lirive individuale, kërkesat për ndihmë dhe marrjen në mbrojtje të kategorive të pambrojtura, ngujimin e dhjetra familjeve nga jugu në veri si dhe padrejtësitë që krijojnë vetë një pjesë e zyrtareve dhe funksionarëve shtetërore, për aq kohë do të jenë të pashmangshme konfliktet, përleshjet, konfrontimet fizike, madje edhe vrasjet …
Në këtë kontekst, armët në përgjithësi, por veçanërisht armët pa leje, janë një rrezik real dhe serioz për sigurinë e njerëzve në konflikt, për sigurinë individuale, për jetën e kalimtarëve të rastit dhe për sigurinë publike në tërësi. Edhe nëse konfliktet e çdo lloji do të ishin të papërfillshme, shoqëria jonë ka me mijëra arsye, për të rikthyer besimin për jetën, punën, pronën, për zhvillimin e demokracinë dhe për sundimin e ligjit.
Mirëpo kronikat e vrasjeve me armë, përveç viktimave, prodhojnë pasiguri e panik, krijojnë një zinxhir të pafund problemesh sociale dhe i shtojnë edhe më shumë hallet tona në këtë vend të përbashkët..
Çfarë thonë kronikat?
Lajmet që shfaqen në kronikat televizive kombëtare janë rrënqethëse. Një vajzë e re nga Fieri, teksa shkonte për kafe me të fejuarin e saj, mbeti e vrarë në mes të Tiranës, në lulen e rinisë, pa i patur borxh askujt.. Një minorene, duke punuar tokën në Dukagjinin e largët, u bë pre e breshërive të egra të hakmarrjes së bashku me gjyshin e saj. Një adoleshente, pasi e gjeti armën dhe mësoi mirë rregullat e qitjes, shfrytëzoi rastin e shumëpritur për t’a shkrepur 27 herë mbi dhunuesin e saj sistematik. Kohë më parë, një i burgosur i shoqëruar me leje, arratiset nga duart e policëve të burgjeve dhe pas disa ditësh merr hakun e babës së tij në mes të qytetit. I braktisur nga familja, një endacak patosarak, grabit rregullisht me maska dhe armë, duke vrarë punonjës të pafajshëm, vetëm pse nuk i binden urdhërit për t’ia mbushur qesen me florinj dhe para. Disa adoleshentë në Valbonë, grabisin me armë turistët gjermanë, bash në kohën kur të gjitha mediat tona i bëjnë reklamë cilësive turistike të vendit. Një i dehur i armatosur dosido hap zjarr me breshëri automatiku mbi një lokal në Zharrëz, ku për fat të mirë plumbat nuk morën jetë njeriu, ndërsa në Lezhë shuhet një familje nga breshëritë automatike të fqinjit të saj. Në Poliçan, një punonjës ekzekuton me armë drejtorin brenda ndërmarrjes dhe më pas edhe veten, me motivin e heqjes nga puna të bashkëshortes. Kronika përcjell vrasjen dhe vrasja përcjell kronikën, thuajse liria për të vrarë ka fituar shumë terren në këtë vend. Një plak maniak 80 vjeçar, vret dhe masakron viktimën e përdhunimit, ne moshën 18 vjeçare, ndërsa arma po shkrepet edhe mbi uniformat e sigurisë.
Ngjarja e Sukthit, ku gjatë një operacioni rutinë policor, mbeti i vrarë shefi i komisariatit, nxori në pah edhe një fakt tronditës për opinionin publik. Vrasësi duhej të ishte në burg, por një gjyqtar që paguhet nga taksat tona, paska “burgosur” dosjen e tij në kasafortën e punës, ndërsa ngjarja e Burrelit, ku gjatë ndjekjes se trafikantëve të armëve, u plagos rendë dhe më vonë ndërroi jetë, shefi i krimeve, evidentojnë edhe më shumë nevojën për të trajtuar me shqetësim problemin e mbajtjes së armëve pa leje.
Me dhjetra raste të tjera janë evidentuar edhe nga pakujdesia, kur arma ka vrarë të zotin e saj. Jo rrallë në familjet e armëmbajtësve, armën e ka mbushur “shejtani”, duke lenë viktima edhe fëmijët. Krimi brenda familjes, në pjesën më të madhe të rasteve ka vulën e barutit.
Kronikat kanë kthyer në vëmendje edhe viktimat nga armët e gjahut. Një dhëndër i dehur në një fshat të Fierit, qëlloi për vdekje vjehrrin, më pas ekzekutoi veten me çifte. Në një pyll të zonës juglindore, gjahtari X vrau aksidentalisht gjahtarin Y, pasi njeriu kishte ngatërruar njeriun me kafshën!!
Nga këto kronika dhe ngjarje të tjera me të cilat opinioni informohet pothuajse çdo ditë, konkluzioni më i thjeshtë që fiksojnë njerëzit e zakonshëm është: “Gjuha e armës po trondit publikun, ndërsa armët e gjahut nuk po e justifikojnë qëllimin, për të cilin ato janë prodhuar dhe lejuar”.
Pas kronikave, vazhdon teatri i deklaratave që shfaqen herë për efekte politike e herë me konkluzionin standard “vrasje për motive të dobëta”. Në anën tjetër të kronikave është vetë realiteti që prodhon këto lajme të neveritshme. Është një shoqëri që zien çdo ditë nga motivet. Është zinxhiri i problemeve sociale, i cili ngatërrohet nëpër këmbët tona. Janë projektet dhe programet e parandalimit dhe të rehabilitimit jo aq efektive. Është heshtja dhe indiferentizmi qytetar. Janë viktimat dhe jetimet e tyre. Janë të burgosurit që ngrysin vitet me “teknikat e reja” të rehabilitimit dhe familjet me fëmijët e tyre që mbajnë mbi kurriz përveç peshës së rëndë ekonomike edhe atë të pasigurisë për shkak të hakmarrjes së mundshme. Janë azilkërkuesit në rrugët e Brukselit dhe deportimet masive në Rinas.
Numri i nxënësve që duhej të ishin nëpër shkolla, në disa zona të vendit po tkurret si rezultat i ngujimit, ndërsa misionaret e pajtimit janë të pafuqishëm për të mbyllur keto plagë të rënda.
Ç’rrënjosja e mentalitetit agresiv dhe urrejtja ndaj armëve.
“Dashuria” për armën e ka bazën tek mentaliteti i vjetër i “luftës kundër armikut” dhe ushqehet në folenë e interesave të kundërta.. Me shëmbëlltyrën e “armikut” brenda vetes, instikti i luftës kundër tij, harxhon kohë, mjete dhe para për të siguruar “epërsinë” , për ta “nënshtruar” apo për t’a mbajtur “larg” atë, për të treguar të “fortin”, për të vendosur “nderin apo të drejtën” në vend etj, mentalitet i cili, lëviz gjithmonë në proporcion të zhdrejtë dhe në kahje të kundërt me aftësinë sunduese të ligjit. Ngjarjet e viteve 97-98 dhe tentativat për të demonstruar të njëjtën logjike me 21 Janar 2011, janë tregues të pamohueshëm së një pjesë e shoqërisë tonë, akoma lundron në këtë mentalitet.
Të dhënat që vijnë nga kronikat tregojnë se në terren ekzistojnë armët pa leje. Ato po shkrepen për llogari te larjes së hesapeve dhe të gjakmarrjes, për kanosjen e kundërshtarit, për sportivitet, në festa tradicionale apo në pistat e vallëzimit, në shtëpi dhe në ambiente publike dhe kundër uniformave të sigurisë gjatë operacioneve policore. Viktimat e përdorimit të armeve kanë qenë të rriturit dhe minorenët, babai ose nëna, bashkëshorti ose bashkëshortja, djali ose vajza, vëllai ose motra, i dashuri ose e dashura, punonjësi civil apo me uniformë.
Armët pa leje janë edhe produkt i farës që po mbjellim vetë si shoqëri në parcelën e indiferentizmit tonë. Teknologjia e dhuratave me armët lodër, shkrepja e kapsollave nëpër rrugë, fotot e rrjeteve sociale me adoleshentë të armatosur, rastet e armëve të ftohta nëpër shkolla, përmbajtja e dhunshme e filmave nëpër ekranet televizive, mungesa e botimeve dhe artikujve kundër armëve, mungesa e lëvizjeve pacifiste dhe respekti i pamjaftueshëm ndaj strukturave te sigurisë, janë vetëm disa tregues të influencës së dobët të shoqërisë sonë.
Falë hapësirave që ka krijuar lëvizja e lirë, trafiku i armëve evidenton një rrezik real. Pre ë këtij trafiku bëhen ata njerëz, të cilët si kudo edhe këtu kanë zgjedhur rrugën e krimit dhe të pasurimit nëpërmjet tij, siç janë grabitësit, pengmarrësit, hakmarrësit, përdhunuesit, trafikantët, vjedhësit, përdoruesit e drogës, etj. Është fakt, se sot armët gjenden me shumë në duart e njerëzve që kanë punë me drejtësinë ose me larjen e hesapeve me persona të caktuar.
Konsideratat e deklaratave politike publike apo individuale që shigjetojnë drejtësinë, me gjithë problemet që ka drejtësia, jo vetëm nuk e luftojnë, por e nxisin zhvillimin e mentalitetit agresiv. Nga ana tjetër ky problem ndikohet edhe nga faktorë të tjerë si aftësia parandaluese efikasiteti i strukturave të ligjit, niveli i bashkëpunimit qytetar, roli i shkollës, i medias, i fesë, lufta kundër korrupsionit etj. Ky fenomen tragjik me pamje te hatashme, përbën një motiv për të ç’armatosur mentalitetin tonë nga agresiviteti, për të ulur “dashurinë” ndaj armës dhe për të kaluar shpejt në ekstremin tjetër, në urrejtjen dhe asgjësimi me çdo kusht të tyre. Si çdo shoqëri, edhe kjo e jona do të ketë gjithmonë sfida për të përballuar, debate dhe konflikte për të zgjidhur. Por në kushtet e aplikimit dhe të rendjes drejt integrimit në BE, arma është mjeti më i panevojshëm. Europa nuk ka aspak nevojë për armët dhe viktimat tona. Ngritja e institucioneve të mirëfillta për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe vënia e sistemit të drejtësisë në eficencë të plotë, do të thotë më pak viktima,.me shumë shëndet dhe më shumë fëmijë nëpër shkolla. Arma pa leje është një sfidë që i bëhet shoqërisë, sigurisë dhe sistemit ligjor në një vend demokratik. Ligjvënësit duhet të mendojnë për shtrëngimin e politikave penale ndaj armëve pa leje, ndërkohë që mund të vendosen rregulla më të forta për administrimin e armëve me leje. Armëmbajtja pa leje meriton dënime ekstreme në Kodin Penal, pasi kostoja e ndëshkimit, në çdo rast është më e vogël se sa kostoja e jetës së njeriut dhe problemeve që krijohen më pas.
Agjensitë e Sigurisë Kombëtare, politika, media, shoqëria civile dhe drejtësia, kanë shumë më tepër detyra për të bërë ndaj këtij problemi shqetësues dhe kërcënimi real për sigurinë e përgjithshme. Mbledhja dhe asgjësimi i armëve pa leje është një domosdoshmëri, për sigurinë e jetës, të familjes, të pronës dhe për të zbardhur imazhin e vendit në sytë e botes. Ata që dorëzojnë një arme sot, kursejnë një jetë njeriu, ndërsa inkurajimi i një lëvizjeje me karakter kombëtar për grumbullimin e armëve, nga kushdoqoftë,mund të shndërrohej në një fushatë të gjërë, efektive dhe mbresëlënëse…
Simon Ulndreu-Ish Specialist i Sigurisë në DP Burgjeve, kualifikuar në Austri dhe Gjermani për Paqen dhe Sigurinë.
Publikuar më January 25, 2013, por shqetësimi ka mbetur po aq a ndoshta më tepër



