Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar ndaj kërkesës së opozitës, të cilët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës dhe votimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Gjatë fjalës së tij, Manja ka thënë se nuk duhet që heshtjen e tyre ta marrin për dobësi pasi ka të bëjë vetëm me respektin ndaj drejtësisë.
Me reagimin e opozitës, Manja thotë se janë duke i shërbyer anti-shtetit dhe krimit.
Ndër të tjera ai thotë se drejtësia do të vazhdojë punën e saj dhe parlamenti të merret me punën që i takojnë.
“Heshtja jonë sot ka të bëjë me respektin për drejtësinë, por jo me respektin për një pjesë të kolegëve se kur të mbërrijë puna të na bëjë moral një pjesë e juaja është fundi i parlamentarizmit. Heshtja jonë ka të bëjë vetëm me atë për të cilën në korrik 2016 u pajtuam të votojmë reformën në Drejtësi.
Sot ju po i bëni shërbimin më të mirë anti-shtetit dhe krimit. Këtë porosi keni marrë nga krimi. Drejtësia të vazhdojë të bëjë punën e vet, ky Parlament të merret me punën që i takon. Gjithë retorika politike e opozitës i shërben krimit, i shërben mbulimit të të vërtetës dhe nuk e ndihmon drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos e merrni heshtjen tonë për dobësi”, deklaroi Manja