Dy lezhjanë me xhepat bosh kishin ardhur në Athinë më këmbë.
Një leshverdh sykaltër matjan ishte plotësiaht i bindur se ishte gjerman dhe duhej të shkonte të jetonte atje ku i përkiste, te atdheu i stërgjyshërve, në Gjermani.
Një minoritar gjysëm i çmendur që qante fshehtas; Atje më shanin “grekofon”, këtu më përbuzin “arvanos”.
Të tilla mesele dëgjoja pasditeve në Sheshin Omonia kur punova ca muaj në Athinë.
Muzg i ngrohtë fundshtatori. Katër durrsakë të uritur. Kokërr leku në xhep.
Mes durrsakve një grek jepte e merrte tu bënte të ditur durrsakëve diçka që ata nuk e kuptonin, për qamet.
Çfar’ thotë ky ? më pyet njëri nga durrsakët.
E pyeta grekun anglisht. Greku tha;
Nëse njëri nga këta të katër pranon të më japë gjysëm litër gjak për xhaxhanë e sëmurë, do ta marr me taksi, do t’i jap një drekë të bollshme si ta dojë, do t’i marr gjakun, do t’i jap 25 mijë Dhrahmi, do ta kthej me taksi këtu ku e mora.
Ua thashë durrsakëve të uritur propozimin e përgjakur të grekut.
Katër durrsakët njëripastjetrit, thanë;
I pari,
-Jam Çam. Gjak çam në rrëmbat e grekut ?! Kurrë !
I dyti,
-Unë ja jap gjakun grekut. Edhe po të isha çam do ja jepja që me anë të gjakut ta bëja grekun sadopak shqiptar, por nuk e di çfarë hile fsheh greku pas këtij propozimi, prandaj, edhepse jam i uritur, grekut gjak nuk i jap.
I treti,
-Edhe unë mund t’i jap gjak grekut. Por a punon zemra e grekut me gjak shqiptari ?
I katërti,
-Jemi popuj miq, jemi popuj vëllezër, do iki unë t’i jap grekut gjak shqiptari. Po na thahen zorrët nga të pangrënët.
E mori greku shqiptarin që kombinoi gjakun, vllazërimin e popujve, urinë, e futi në një taksi, dhe u zhdukën.
Kaluan disa javë.
Episodin me durrsak, grek, gjak, e harrova. Të tjera tmerre shqiptareske që dëgjoja tek Omonia, ma nxorrën nga mendja.
Mirpo nje dite tjetër i pashë përsëri katër durrsakët. E kishin marrë veten.
Pyeta atë që i shiti grekut gjakun,
-Si vazhdoi ajo meseleja me ate grekun që ta bleu gjakun ?
-Më çoi në një shtëpi në Pire, tha durrsaku, më dha një drekë, prita të vinte dikush të ma thithte gjakun me shiringë. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Greku më dha 25 mije Dhrahmi, më solli me taksi ku më mori. Grek i çuditshëm. Paret mi dha. Gjakun s’ma mori.
-Kam unë një spjegim, u hodh miku i tij. Grekët janë të poshtër. E gjitha kjo është një kurth i ngritur nga ndonjë grek i pasur për të provuar sa pak vlerë ka gjaku shqiptar.
-Përkundrazi, tha durrsaku tjetër. Greku e ka thurur këtë mesele për të dëshmuar miqësinë shekullore mes popujve ballkanikë, të cilët për njeri-tjetrin japin edhe gjakun, madje fare lirë, përmes shembullit kuptimplotë të një shqiptari të uritur i cili e shet gjakun për të mbushur 1 herë barkun, çka do të thotë se po të ishte i ngopur, gjakun shqiptar grekut do ja falte.
-E pamundur, tha durrsaku që foli i fundit. Po të ishte e vërtetë se një shqiptar ja shet aq lirë gjakun një greku, do ishte e vërtetë edhe e kundërta, që po aq lirë një grek ja shet gjakun një shqiptari, çka kurrë nuk ka ndodhur, dhe kurrë nuk do ndodhi.
Tashmë ngjarjen me gjak, grek i sëmurë, shqiptar i uritur, nuk mund ta harroja.
Kaluan disa javë të tjera.
Një tjetër pasdite, në një tjetër qoshe të Omonias, pashë përsëri grekun e gjakut.
E pyeta çfarë ndodhi ate dite me gjakun e shqiptarit ?
-Kur arritëm në Pire me atë djalin, tha greku duke qeshur, i thashë xhaxhait që po jepte shpirt se i gjeta gjak shqiptar. Xhaxhai në shtratin e vdekjes, tha; Kurrë gjak shqiptar në dejet e grekut. Më mirë vdes që këtë çast. Dhe vdiq.
Nga mrekullitë e Edison Ypi/ Greku i gjakut
Leave a comment Leave a comment