Kur kalon kthesën e Qafë-Thanës në drejtim të Pogradecit, së bashku me Liqenin, të shfaqet fshati Lin. Oh sa do të doja të ndalesha të kaloja një natë aty! Mbase është si çdo fshat tjetër por kur shikon atë pamje të bukur, ëndërron se ka një magji aty. Nejse, vazhdojmë rrugën bregut të liqenit të Ohrit apo Pogradecit. Ato tunelet e hapura me kolona në njërën anë që të shikosh liqenin janë gjetje e bukur. Në Pogradec drejtohemi drejt Tushemishtit por atje rruga ishte në rindërtim apo në asfaltim. Ec e ec në atë rrugë të pashtruar derisa u afruam te kthesa e teta Ollgës apo bustit me këtë emër. Kisha kuriozitet ta shihja por ishim të lodhur me gruan dhe vajzën dhe e kthyem aty makinën. Kthehemi bregut të Liqenit dhe vazhdojmë ashtu. Shohim një restorant Kashta por megjithëse duket bukur, nuk bën të ndalemi aty. Ku hëngrët drekë? Te Restorant Kashta. Sikur s’shkon! Vazhdojmë dhe ndalemi tek hotel “1 Maji” apo taverna Perla. Besoj duhet të ketë qenë hotel që në kohë të monizmit. Por duket bukur hoteli dhe taverna dhe vendosim të ndalemi aty. Njëherë shkuam tek tavolinat krejt afër bregut por aty afrohej vetem kafe e pije ndërsa ne donim drekë. E shijuam paska ujët e liqenit aty duke përsëritur vargjet e Lasgushit:
Dremit liqeri pa kufi
Ai ndaj fundesh u përflak…
Më tej nuk e mbaja mend por e përsërisja shpesh megjithëse kisha dyshim se gruaja dhe vajza po bezdiseshin. Në restorant porosis një Koran ndërsa gruaja me sa di unë një fileto kocë. I duket shtrenjt Korani 2000 lekë megjithëse edhe ajo që porositi ishte 1500 lekë. Të bënte sa të bënte, do të shijoja një peshk Koran në Pogradec. Dhe ishte vërtet i shijshëm, sallata e shijshme gjithashtu. Më vonë më thanë se ka edhe një peshk tjetër të liqenit, Belush apo Belushkë por që nuk gjendet çdo herë. Apo Belushkë është femra e Koranit ndërsa mashkulli kishte një emër tjetër. Më tej pyes ku është busti i Lasgushit. Është larg prej këtu, më thonë. Shoh një kanal me ujë që bie në det dhe më duket gjë e bukur, si kanalet e Venecias, dhe bëj një foto aty. Më tej, marrim makinën dhe ndalemi tek hotel Enkelana. Kam lexuar nga Mitrush Kuteli që fisi ilir i enkelejve kanë banuar në zonën e sotme të Pogradecit. Bustet e Lasgushit dhe të Mitrushit janë krejt afër aty. Pa shkuar aty shoh disa çuna nën një çadër me një qen. I ngacmoj, a është qeni i Lasgushit ky? Mirëpo ata janë më praktikë se unë. Ka mbaruar Lasgushi me gjithë qenin, më thonë dhe qeshin. Afrohem tek statuja e Lasgushit dhe më bën një foto vajza aty. Duket një statujë e bukur, nuk e di cili skulptor e ka bërë. Me qenin në krah, Cucin, gjetje e këndshme, në atë klimë mbytëse ku jetoi. Afrohem edhe te Mitrushi dhe bëj foto aty. Ai duket se ishte zemërgjerë, ndihmoi Lasgushin për të botuar dy librat e tij, pastaj në të dalë të luftës së dytë botërore, botoi edhe Migjenin, më duket se ka botuar edhe Fan Nolin. Mbase nuk ishte romantik si Lasgushi por ka lënë edhe disa poezi të bukura dhe Poemin Kosovar përveç prozës së tij të magjishme. S’po përmend atë që iu bashkua trupave gjermane drejt Ukrainës, edhe ajo shenjë kurajoje sidoqoftë.
Më tej nisemi drejt Korçës. Kam rezervuar një natë më parë me telefon një dhomë në një hotel buzë shëtitores. I gjeta numrin dhe thashë t’ju shkruaj. Nuk rezervova në booking se mbase është më shtrenjt. Ju përgjigjën shpejt mesazhit tim. A ke një dhomë për dy të rritur dhe një fëmijë pyeta. Po, tha, kushton 7000 lekë, ndërsa suita me sa mbaj mend 11 000 lekë dhe ishte edhe një kategori tjetër. A më ruani një dhomë nga kjo 7 mijë lekëshja, e pyeta prapë. Po, tha, e kryer. Kaq. Kur nuk prenoton, bëj një telefon të paktën, të mos sorollatesh pastaj.
Kisha idenë që nga Pogradeci ngjitesh direkt në Qafë Plloçë por isha gabuar. Rruga vazhdon pak drejt mbi Pogradec pastaj me ato kthesat e forta ngjitesh drejt Qafë Plloçës. Kujtoj në kohën e dimrit sa vështirësi kanë shoferët e linjave të ngjiten dhe zbresin asaj qafe. Ngjitemi në fushën e Korçës. Aty dihet ka pasur disa këneta që u thanë pas luftës si e Maliqit, e Vloçishtit dhe kush e di ç’kanë hequr të burgosurit dhe të internuarit aty. Duket se tharja e kënetave ishte një gjë e mirë për të përfituar tokë buke por poeti Koçi Petriti thotë se se nuk është se s’ka pasur humbje nga tharja e tyre. Gjithë ai habitat kafshësh e bimësh ujore u zhduk thotë poeti dhe i kujton me mostalgji ato kohë.
Në Korçë, zëmë vend në një dhomë me pamje nga kulla e Korçës, e ngritur para 10 vitesh më duket. Fiks me këtë qeveri. Mendoj se si kullë është fiks në lartësinë e duhur. Korça, i vetmi qytet në Shqipëri që duket se nuk janë lejuar ndërtimet e larta, duket se edhe me kullën që ka, i përshtatet këtyre ndërtimeve, pak mbi to, por jo shumë. Dalim pastaj në shëtitore apo ne bulevardi i Korçës. Ai busti i Ushtarit të Panjohur, do të thoja i Luftëtarit të Panjohur është magjepës. Pra nuk është një ushtar i brishtë dhe trim por një luftëtar që mbase mund të jetë i pushkës dhe i penës. Odise Paskali e ka qarë këtë figurë. Kisha ortodokse, gjë e bukur gjithashtu. Kujtoj Edit Durhamin kur thotë se Korça ishte qyteti më i pastër që kishte vizituar në Perandorinë Osmane, çereku i banorëve thotë janë myslimanë, të tjerët me siguri ortodoksë.
Pastaj marrim drejtimin nga rruga apo bulevardi Republika. E pëlqej atë rrugë që nis te Kisha Ortodokse në krah të majtë dhe shkon deri te stadiumi Skënderbeu. Shohim aty kinema Imperial apo Majestic Imperial e ndërtuar në vitet 30. Më tej pyes një banor aty, ku është liceu i Korcës, Në të djathtë të Kinema Moravës, thotë, ngjitu pak përpjetë dhe ke një lokal përballë aty. Me sa po kuptoja ai e quante kinemanë Imperial me emrin tjetër Morava. Vazhdojmë me tej. Në krah të djathtë në rrugën që ngjitej deri lart në kodër, shtëpi të sistemuara dhe rrugë me kalldrëm, të shtruara bukur. Gruaja pa një monument ushtari atje lart në kodër dhe më propozon të vazhdojmë rrugës përpjetë. Të bën përshtypje, gjithkush nga banorët ka rregulluar e sistemuar bukur shtëpinë e tij aty. Korçarët njihen si njerëz të rregullit e pastërtisë. Mirëpo nuk sheh shumë njerëz nëpër lagje. Duket se shumë janë në emigracion dhe vijnë vetëm për pushime. Ngjitemi deri lart në kodër por jo tek ushtari se duket që atje janë varrezat e dëshmorëve. Gruaja do të ngjitet por unë rezistoj dhe kthejmë pastaj djathtas duke zbritur dalëngadalë. Kur shkojmë tek rruga kryesore që është prapë bulevardi Republika, pyes prapë për ish liceun francez. Ma tregoi njëri dhe afrohem. Një ndërtesë dykatëshe, dukej bukur por nuk kish ndonjë tabelë që tregonte se ishte liceu, Përballë, një tavernë me emrin Liceu sikur ta kujtonte pak por nuk ishte plotësisht e sigurtë. Kishte sidoqoftë një tabelë në ndërtesën po themi të liceut por ajo thoshte shkolla e mesme profesionale. Kthehemi drejt hotelit.
Harrova të them, më parë iu afrova edhe statujës së Themistokli Gërmenjit. Patriot i madh që pati një fat tragjik. Dihet se vendet e vogla apo edhe figura të tilla shumë herë pësojnë një fat tragjik të lidhur me fuqitë e mëdha. Francezët pasi e mbështetën fillimisht, e sakrifikuan më vonë për marrëveshjen me grekët. Dhe ishte vetëm 46 vjeç.
Të nesërmen pimë një kafe të fortë e të mirë në cepin e majtë të kishës ortodokse ku bie edhe dielli. Ishte pak problem se disa lokaleve në shëtitore nuk iu binte dielli në mëngjes dhe klientët rendnin të gjenin një vend me diell. Kamarjerja aty duket se ishte pak e rrëmbyer. U dallua qysh kur na pyeti dhe na solli porosinë, I ra fatura në tokë ndërsa më vonë rrëzoi disa gota e filxhana duke bërë shumë zhurmë dhe ne po qeshnim. Ku e ka mendjen brezi i ri me teknologjinë dhe ëndrrat në qiell dhe ku kamarjeri që duhet t’ju përkulet klientëve për një bakshish 20 lekësh! Pastaj kohët e fundit, s’po ju ofrojmë më kafe njerëzve as në shtëpi. Vetëm në lokal. Ku do të mësojnë djali ose vajza të shërbejnë apo t’ju rrëzohet tabakaja në dorë!
Drejtohemi te pazari pastaj. Kur kisha qenë vetëm para disa vjetësh nuk e kisha vizituar pazarin. Më patën thënë se është në rikonstruksion por prapë e përfytyroja gjë të vogël. Ishte diçka vërtet e bukur dhe me shumë rrugica e dyqane. Në një tabelë, shkruhej se janë luajtur katër filma aty, duke dhënë emrat dhe po mendoj se një nga filmat mund të ishte edhe Përballimi. Njerëz pafund të ulur nëpër kafe aty dhe gruaja që po më fajësonte mua se nuk di gjë tjetër përveç Shëtitores, përse nuk na solle më parë aty.
Vazhdojmë duke ndjekur rrugicat e ngushta deri në fund. Mirëpo pas disa shesheve të vogla megjithëse dyqanet vazhdonin njëlloj, dukej se shumica ishin të mbyllur apo gjysëm të hapur, pa shumë klientë. Shkojmë deri tek xhamia e Mirahorit e ndërtuar në fund të shekullit XV apo më saktë 1496. Lexojmë aty në tabelë se ky pazar ka pasur 1900 dyqane, me shumë hane pastaj, ku mbahet mend hani i Elbasanit sepse kishte shumë tregti me atë qytet. Pas shumë investimeve gjermane, mendoj se ka shumë vite që Korça është ndër qytetet më të mirëmbajtura dhe më tërheqëse, krahas Shkodrës po them por duke u kthyer prapë aty, mendoj se duhet mendje drejtuese vizionare për tregti e zhvillim. Korça ishte qytet tregtar dhe tërheqës edhe për zonat kufitare të Greqisë në vitet 30 por pastaj kufiri u mbyll. Pika kufitare e Kapshticës vazhdon por nuk e di sa impakt ekonomik ka. Ndërkohë, kam idenë se përveç vendasve, të tjerëve nuk iu bie rruga aty. Mirë turistët që shkojnë aty nga Shqipëria dhe Kosova se pamë edhe të Kosovës por ideja është të zhvillohet qyteti dhe e gjithë ajo pllajë që thonë se ka qenë prodhuese dhe e begatë. Pra, të paktën të mbështeten në shitjen e prodhimeve të tyre. Këtë më tha edhe një shitës dyqani, që po e ngacmoja aty. Nuk ka punë tha, pak njerëz. Pas pazarit ecëm drejt në një rrugë në krahun tjetër. Kishte plot qarkullim, madje në kthim mes pallateve kishte plot që shisnin në rrugë veshmbathje të përdorura dhe mirë që kishin dalë por nuk dukej se ishte ndonjë gjë e madhe. Marrim makinën për t’u kthyer drejt Tiranës por pasi kalojmë në fund të rrugës Republika, ecim drejt në një rrugë njëkalimëshe dhe kur shohim Parkun e madh në krah të majtë, gruaja nuk duron, ta mbajmë makinën thotë, do të rri një orë a dy këtu. Parkojmë aty ndërsa përballë dukej se ishte Universiteti “Fan Noli”. Ishte një ambjent i përshtatshëm, një ndërtesë trekatëshe me hapësirë rreth e rrotull e gjelbërim, tamam për universitet. Hymë në park dhe kënaqemi aty. Nuk e dija se ekzistonte ai park. Ndalemi dhe bisedojmë me dy gra. Njëra jetonte në Amerikë dhe kishte ardhur për vizitë ndërsa tjetra banonte aty, ishin afër moshës së pensionit. Mirë është Korça, po na thoshte ajo që jetonte aty, por e shtrenjtë me pagat dhe çmimet që janë rritur kohët e fundit. Mban dimër i gjatë, tha, dhe dimri ka shpenzime, do dru, pengon lëvizjet dhe kjo bën që shumë njerëz lëvizin prej këtu. Edhe më herët Korcën e kanë quajtur qyteti i zengjinëve se jeta ishte më e shtrenjtë këtu edhe se rrethinat, na tha. Nisemi në rrugën e kthimit, doja ta shihja edhe Universitetin Fan Noli dhe këtë park dhe u largova me përshtypjet që ke ç’të vizitosh në Korcë. Është quajtur dikur Parisi i Vogël dhe kështu janë quajtur edhe shumë qytete në botë por është vërtet interesante për t’u vizituar dhe kaluar disa ditë. Aq më tepër që i bën Korçë e Pogradec bashkë.
Vizitën në Voskopojë e lamë për një herë tjetër.
Nga Kujtim Morina/ Udhëpërshkrim: Në Pogradec dhe Korçë
Leave a comment Leave a comment