Gënjeshtra më e madhe, paradoksalisht, është një fjalë e “ngrohtë”
Të paktën për ne, popullin e këtij vendi…
Shpreso ! Shpresa vdes e fundit ?! Fjala e fjalia më e përdorur në planet.
Fjalë sa 7 miliardë fjalë.
Fjalë që është kthyer në ngushëllim dhe besim, se pavarësisht situatave të vështira, më e mira do vijë. Fjalë që është përdorur si këshillë nga prindërit, nga mësuesit, nga priftërinjtë e hoxhët, nga miqtë në situata të vështira, nga poetë, filozofë e politikanë.
Fjala që ka shërbyer si droga më e mirë për masat e gjera të popullit. Fjala që na ka vënë në gjumë e nuk na lejon të zgjohemi.
Fjala magjike e nënshtrimit. Fjala më e gënjeshtërt.
Ai që e ka shpikur kuptimin e kësaj fjale ka qënë njeriu më i mençur dhe më diabolik i të gjitha kohërave dhe duhet të shpallet idhull i politikanëve dhe pasanikëve të botës.
Shpresoni ?! Shqiptarët kanë 3000 vjet, të paktën, që shpresojnë për një jetë më të mirë.
Ku janë ?
Nga të fundit në kozmos. Shpresoni ?!
Te kush të shpresojmë ?!
Te politika ? Te politikanët ?!
Jo miq e lexues, jo !
Nuk arrihet asgjë duke shpresuar.
Jo, jo dhe jo ! Ç
do gjë arrihet vetëm duke punuar e luftuar, me mund e me djersë, me ndershmëri e guxim, në rrugë të mbarë, me besim te Zoti, çdo minutë, çdo orë, çdo natë e çdo ditë.
Sa më shpejt ta kuptojmë, aq më pak do shpresojmë kot dhe aq më shumë do luftojmë që edhe Shqipëria të bëhet një shtet i mbarë dhe krenar dhe shqiptarët të jetojnë të sigurtë, të qetë e të begatë në vendin e tyre.