Përgatiti Simon Ulndreu
Belgjika nuk është pajtuar kurrë me historinë e saj koloniale. Tani vendi po bën një përpjekje të re me një “komision të së vërtetës”. A po zbret Leopold II nga piedestali?
Historia e Kongos u formësua ndjeshëm nga periudha e saj mizore koloniale. Shumë nga konfliktet aktuale i kanë rrënjët në këtë histori.
Përpara kolonizimit, disa mbretëri dhe krerë fisesh ishin përpjekur pa sukses për të vendosur autoritetin e tyre në atë territor, që tani quhet Republika Demokratike e Kongos.
“T’i hapësh dyert e qytetërimit të vetmit kontinent ku ende ai nuk ka depërtuar dhe të depërtosh në errësirën që ende mbështjell popuj të tërë, kjo është një kryqëzatë e denjë për përparimin e shekullit tonë,”-thirri Mbreti i Belgjikës Leopold II në vitin 1876.
Ai e përdori këtë parim për të justifikuar kolonizimin e tij të dhunshëm në vendet e Afrikës Qendrore, veçanërisht në Kongo .
Në vitin 1878, Mbreti Leopold II, angazhoi dy eksploruesit britanikë Henry Morton Stanley dhe David Livingstone si udhëheqës të misionit të tij afrikan. Zyrtarisht ata duhej të eksploronin shkencërisht pjesët e panjohura të Afrikës. Leopoldi II i porositi ata që të merrnin toka. Në vetëm pak vite, eksploruesit nënshkruan traktate në emër të mbretit, me rreth 450 prijës dhe zotërues tokash në Afrikën Qendrore.
Në 1884/85 në Berlin u mbajt Konferenca e Afrikës. Nëpërmjet taktikave të zgjuara, Leopold II bëri që 14 shtetet evropiane dhe SHBA të njohin “Shtetin e Pavarur të Kongos”, të cilin ai e quante të mirëqënë, si pronë e tij personale private. Kjo ishte e pazakontë pasi kolonitë zakonisht ishin në pronësi të shteteve dhe jo të individëve privatë. Leopold II ishte kështu pronari i një vendi që ishte rreth 70 herë më i madh se Belgjika, i pasur me depozita të metaleve të çmuara, diamanteve dhe lëndëve të tjera fitimprurëse.
Bumi i gomës dhe mizoria e Kongos*
Leopold II shpejt filloi të shfrytëzonte pamëshirshëm Kongon. Kongoja kishte pikërisht atë pêr të cilën tregu botëror kishte etje: Gomën.
Në 1888, John Boyd Dunlop shpiku gomën pneumatike, e cila e bëri gomën një produkt shumë të lakmuar në treg.
Ajo ishte e bollshme në pyjet tropikale të pellgut të Kongos. Leopold II i nënshtroi nënshtetasit e tij kongolez në punë të detyruar në mënyrën më mizore. Çdo fshat duhej të furnizonte një sasi të caktuar gome. Nëse burrat nuk plotësonin kuotat e dorëzimit, gratë e tyre vriteshin. “Pengu” monitorohej nga “Force Publique”. Një lloj ushtrie e krijuar posaçërisht për të koordinuar shfrytëzimin dhe skllavërinë. Ajo përbëhej kryesisht nga zezakë, vetëm oficerët ishin të bardhë.
Në këtë mënyrë, vendi u vendos në kontroll të pamëshirshëm: ushtarët duhej të jepnin llogari për çdo gëzhojë të gjuajtur. Pushtuesit donin të siguroheshin që municioni i shtrenjtë të përdorej vetëm për pengjet.
Prandaj, për çdo gëzhojë të përdorur, ushtarët e zinj duhej të prisnin dorën e djathtë të të ekzekutuarit dhe t’ia paraqisnin atë oficerëve të bardhë. Meqenëse popullsia ishte dëshpërimisht e varfër, shumë veta përdornin armët e tyre për gjueti dhe shumë njerëzve iu desh të sakrifikonin një dorë derisa ishin ende gjallë.
Kështu, Kongo i sillte mbretit fitime të mëdha vit pas viti. Sipas vlerësimeve të historianit belg Daniël Vangroenweghe, midis 1885 dhe 1908, fitimi ishte ekuivalent me 125 milionë euro. Vlerësime të tjera madje supozojnë deri në 500 milionë euro. Leopoldi II i përdori paratë e gjakut për të financuar ndërtesa madhështore në Belgjikë, siç është sot “Muzeu Mbretëror për Afrikën Qendrore” pranë Brukselit.
Gjatë sundimit mizantropik belg, burimet natyrore të vendit u shfrytëzuan brutalisht dhe shumë kongolezë u skllavëruan. Miliona njerëz humbën jetën nën këtë sundim. Vetëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, kontrolli i fuqive koloniale mbi vendet e pushtuara filloi të lëkundet. Si në Belgjikë ashtu edhe në Kongo, forcat politike që kërkonin pavarësinë e Kongos u forcuan, derisa vendi fitoi pavarësinë më 30 qershor 1960.
Por edhe pas fitores se Pavarësisë, historia fatkeqe e Kongos vazhdon edhe sot e kësaj dite…
*Përmbledhje të përkthyera nga Historia tragjike e Kongos