Zgjedhjet e 14 Majit shënuan nivelin më të ulët të pjesmarrjes në historinë 31 vjeçare të zgjedhjeve vendore. Ky bojkot ishte protesta e heshtur e votuesve ndaj keq qeverisjes , krimit, korrupsionit , polarizimit pasuror dhe mungesës së shpresës për të ardhmen.
Por refuzimi nuk u konkretizua në humbje për maxhorancën dhe fitore për opozitën, sikundër ndodh në cdo shtet demokratik. Në të kundërt, fitorja e PS ishte më e madhja në historinë e zgjedhjeve vendore.
Abuzimi me pushtetin nga pozita ishte i niveleve sipërore. Format e abuzimit ishin të vjetra, të njohura, të denoncuara nga opozita, por jo nga mbikqyrësit e OSBE. Kritikat e vakta të ndërkombëtarëve për këtë fenomen kanë patur zero efekt në cilësinë e zgjedhjeve, ndërkohë që shpërdorimi i pushtetit nga pozita, nga fushata në fushatë, bëhet më flagrant, më brutal dhe më i vështirë për tu ndalur.
Shpërfillja prej K/ministrit Rama i faktorit ndërkombëtar ka si shkak objektivin e tij për të mos u bërë pjesë e BE, sepse do ti duhej të dorzonte një pjesë të sovranitetit dhe të qeveriste me standarte , krejt të ndryshme, deri dhe të kundërta nga ato që përdor aktualisht.
Fakti i fundit, që ilustron këtë konkluzion ,, është refuzimi konstant i z.Rama për amnistinë fiskale, ndaj kërkesave të përsëritura dhe këmbëngulëse të BE dhe organizmave financiarë ndërkombëtarë.
Ndaj dhe në të ardhmen abuzimi në zgjedhje do të thellohet , duke demotivuar pjesmarrjen në votime dhe duke i siguruar pozitës aktuale qëndrim në pushtet, pa afat.
Na pret fati i Rusisë dhe i Bjellorusisë, ku nuk mungon pluralizmi, shoqëria civile, sindikatat , gazetat dhe televizionet privatë, por opozita prej 32 vitesh nuk vjen në pushtet dhe është e pa shpresë edhe për të ardhmen e afërt. Ky është modeli i shtetit autoritarist, që po konsolidohet në Shqipëri.
Mundësitë që ndërkombëtarët të ndërhyjnë seriozisht për ndryshimin e situates, janë të pakta. Konkluzioni i analistëve, që ndërkombëtarët kanë parësor stabilitetin e Shqipërisë , qoftë edhe me shkelje të rënda të ligjit nga pozita, deri më sot, është i provuar. 14 Maji ishte ilustrimi i radhës.
Teorikisht, e vetmja shpresë për ndryshimin e gjëndjes mbetet opozita, më saktë, Foltorja e z.Berisha. Por refuzimi i votuesve për Foltoren dhe z. Berisha , si subjekte të konsumuar, deri në atrofizim,, ishte edhe më i madh se për PS dhe z.Rama.
Në zgjedhjet e v.2005 sllogani i PD me duar të pastra, “ngjiti “ tek votuesit. Të lodhur nga korrupsioni i Fatos Nanos dhe administratës së tij shqiptarët i besuan PD dy mandate qeverisës.
Por korrupsioni i lartë në hipoteka, legalizime, tatime, dogana, tenderat publikë, vecanërisht i rrethit shoqëror të K/ministrit Berisha, ministrave , funksionarve të lartë partiakë, shoqëruar me tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjet e 21 Janarit, e dërrmuan reputacionin politik dhe moral të PD dhe të z.Berisha.
Pasojat ishin humbjet zgjedhjeve të viteve 2013, 2015, 2017, 2019, 2021 dhe 2023. Të pashpresa për ti fituar duken edhe zgjedhjet e v.2025.
Në këto rrethana thirrjet për bashkimin e Foltores me PD zyrtare , nuk janë alternativë. Shifrat provojnë , që edhe e bashkuar PD nuk do të mund të merrte Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Vlorën, Korçën, madje edhe Shkodrën.
PD nuk ka nevojë për bashkime mekanike dhe kozmetikë politike, por për personalitete politikë , që prodhojnë ide , që demokratizojnë partinë , e bëjnë mikpritse dhe të hapur për elitat e kohës; i japin zgjidhje sfidave madhore të shoqërisë ; ngjallin shpresë dhe besim në popull dhe krijojnë frymën dhe motivimn e duhur për pjesmarrje masive në zgjedhje , si rruga e vetme për të fituar mbi abuzimet e pushtetit.
Këto cilësi nuk mund ti presim nga z.Berisha. 14 Maji, testi i fundit për të, si lider, ishte katastrofë , që dëmtoj jo vetëm PD, por mbarë Shqipërinë.
PD lindi si alternativë qeverisëse , jo për të qenë pafundësisht në opozitë. Ndaj z.Berisha në krye të opozitës është fatkeqsi kombëtare, po aq sa edhe z.Rama K/ministër i Shqipërisë.
Por në cdo rast risitë, që mundësojnë ndryshime pozitive, janë produkt i opozitës. Votbesimi i pritshëm i z.Berisha nga Këshilli Kombëtar i Foltores, nuk pritet të bëjë lajm. Me një numër të madh mbështetësish, që veç besnikërisë pa kushte ndaj tij, nuk kanë tjetër ç’të ofrojnë, konfirmimi i z.Berisha në krye të Foltores mund të quhet i sigurt.
Për pjesën e përgjegjëshme të demokratëve është koha për zgjidhje radikale, për “ kalimin e Rubikonit “ dhe ndarjen përfundimtare me “ Erën Berisha”, si mundësia e vetme pëtr ndërtimin e një opozite të suksesëshme , që mund dhe di të fitoj.
Një parti e re, me emër të ri, me statut bashkëkohor, individë me principe, të kulturuar, të papërlyer me korrupsion, duhet të bëhen nukli i opozitës së re të Shqipërisë.
Dhe kjo është sa e domosdoshme, aq edhe e mundur. Boçi, Tabaku , Alizoti, Kadilli, Gjekmarkaj, Marku, Cara, Bardhi dhe dhjetra mijra të tjerë, brenda dhe jashtë radhëve të PD dhe Foltores, janë garanci për një opozitë rentabël, bashkpunuese dhe koordinuese me të gjithë spektrin e faktorve opozitarë , si shpresë dhe hap i parë për ditë më të mira për vendin.
Vilson Haxhiraj