KUJTIM SPAHIVOGLI
-Kurvat e kombinatit.-
Si zakonisht, u ulëm për kafen e mengjezit. Koçoja, Dori, Devi dhe unë.
-Mbrëmë,-tha Koçoja,- lexova një intervistë të Vllasova Mustës. Gruaja e Kujtim Spahivoglit. Tragjedi.
-U dashurua me Kujtimin studente. Tre vjet martesë. Bënë një vajzë. Erdhi divorci.
Pse?
Kujtimin e dërguan në ndërmarrjen e Bonifikimit-Fier. Për vajzën, bënë sakrificën e madhe:
Ndarje?! Morali i kohës.
Në gjyq u vendos: vajza me mamanë. Babai ta shihte vajzën një herë në dy muaj.
-Dori! Ke dëgjuar për Kujtim Spahivoglin?
-Sigurisht. Kam qënë student tek artet. Legjendë si aktor. Më i njohur si regjizor. Kishte studjuar në Moskë. Solli në Tiranë idetë e regjizorit rus Stanisllafski.
Ndërkohë Mihallaq Luarasi kishte studiuar në Budapest. Solli në Teatrin Kombëtar idetë e Breht. Dy shkolla të ndryshme. Dy rryma që u “hëngrën kokat të dyve.
Mihallaqi 8 vjet burg. Spahivoligli punëtor në bonifikim.
Pastaj në kooperativën bujqësore të Bërzhitës.
-Bukur! Unë kam patur fat të bashkëpunoj me Kujtim Spahivoglin. Punoja në Shtëpinë e Kulturës në Kombinat. Kujtimi solli një komedi. “Kurvat e Kombinatit”. Imitim nga një komedi e njohur e Aristofanit. 400 vjet para Erës së Re.
Kryevepër për mua. Por pa u vënë në skenë u sulmua. U dënua. U pushkatua.
Tha sekretari i partisë:
-Kurva janë vjzat tona tekstiliste? Kush është ky Kujtim Spahivogli që nuk ka respek për çupat tona?
-Drejtori e pëlqeu komedinë. Më thotë një ditë:
-Ta quajmë komedinë: “Çupat e Kombinatit” Dhe e shesim siç thotë populli sapunin për djathë!
-Nuk pranova. “Po i hoqëm kokën, nuk ka kuptim komedija”.
Dhe komedija mbeti në sirtar.
Pas 50 vjetëve, regjizori Spiro Duni e vuri në skenë me titull “Pushti i grave”.
-Për Kujtimin-aktor shkoja në teatër. Disa herë kam parë Hamletin. Ne, Devi. kemi pasur disa Hamletë: Naim Frashëri, Prokop Mima. Bile edhe një femër: Luiza Xhuvani.
-Mos u habit Mitro: Kur jetonte Shekspiri, rolet e femrave i luanin meshkujt?!
Por Hamleti i Kujtim Spahivoglit nuk përsëritet.
Shkoja në teatër për të parë Kujtimin si regjizor. -Vazhdoi Koço.-
“Shtëpia në bulevard” e Fadil Paçramit. “Banja” e Majakofsit- ishin majat e regjizurës. Art. Shkollë. Novacion. Mbyllej sipari. Hapja bllokun e shënimeve.
-Kujtim Spahivogli arriti majat e lavdisë. Fitoi çmime. Dekorata. Hapi “Tetrin e të rinjëve” në Institutin e Arteve…
Por brënda një nate çdo gjë u shëmb. Enver Hoxha e kritikoi me emër.
Disident. Armik. Dhe erdhi Fermani: Kujtim Spahivogëli- nuk ka vend në teatër dhe në Akademi. Të shkoi punëtor krahu në ndërmarrjen e Bonifikimit në Fier.
-Ironi e fatit,- tha Devi.-Studenti i shkëlqyer në Moskë; aktor dhe regjizor, nga më të mirët më me emër në Shqipëri-përfundon punëtor për të bërë beton.
-Kam lexuar edhe unë, Koço, një intervistë të Vllasova Mustës. Kujtimi para se të shkonte në Fier, ndënji disa kohë në Tiranë. Një ditë gruaja i kërkoi takim Enver Hoxhës. E priti sekretari. E pyeti:
-Pse ke ardhur?
-Për Kujtimin. Mendoj se dënimi nuk është i drejtë?
-Dëgjo! Ti nuk e njeh se kush është Kujtim Spahivogëli. Partia e ka gjurmuar. Është armik i partisë. I popullit. Sot në internim. Nesër në burg-atje ku ka vendin!
Koço!-Të është dhënë rasti ta takosh Kujtimin në Fier?
-Me lepurin në bark, e kam takuar. Rasti e binte të vija ndonjë skeç në estradën e Fierit.
Një natë e takova Kujtimin… Bëmë një shëtitje në errësirë. E pyeta për skenografinë. Më tregoi një histori që nuk e harroj kurrë:
-Stanisllavski ka thënë: Në qoftë se në skenë var një pushkë, që nuk përdoret, nuk ka pse të jetë në skenë…
Kur u ndamë më tha:
-Mos më kërko tjetër herë! Është me rrezik për ty dhe për mua. Operativi i sigurimit më ndjek si hije. Kam frikë. Gjyqi më ka dhënë të drejtën të takoj vajzën Ani, një herë në dy muaj. Vojsava ma bie çdo të diel. Mund të më burgosin si Fadil Paçramin dhe Mihallaq Luarasin. Partia më ndau nga gruaja. Burgu do më ndajë nga vajza!
Po më ndanë nga Ani, do vras veten!
-Në vitin 1980 Kujtimi erdhi në Tiranë. Jetonte vetëm. I kam shkuar disa herë në shtëpi me Ferdinand Radën. Një ditë e gjetëm shtëpinë të rrafshuar. Do bëhej pallat.
Kujtimi mbeti pa shtëpi. Pa katandi. Pa familje. Endacak. Pak kushërinj i hapnin derë. Pas disa kohësh e degdisën në Bërzhitë.
Në fillim punoi me shatë. Pastaj e bënë përgjegjës të shtëpisë së kulturës.
-Në disa intervista kam lexuar se Kujtim Spahivogli bënte shfaqje të thjeshta në kooperativë. Ju Koço e kini takuar në Bërzhitë?-Pyeti Dori.-
– Po. Shkoja si nxënësi tek mësuesi. Ai edhe pse larg teatrit, kishte ide. Kishte fantazi. Sidomos për humorin. Ndërkohë, nisa punë në RTSH. Drejtor ishte Marash Hajati. Liberal. Mik i Kujtimi Spahivoglit dhe Fadil Paçramit.
Me lejen e Marashit, nisa të çoj në Bërzhitë, dekore, prozhektorë, llampa, mikrofonë, karrike. Të përdorura, por që bënin punë në fshat. Kam shkruar edhe disa skeçe për Bërzhitën.
-Kujtimi ishte i sëmurë. Tretej. I verdhë si gjethe në vjeshtë. Vishte një pardesy të vjetër. Në atë mot e quanim fëshfëshe. Ishin si fletë cigari.
Grisej vende – vende. Kujtimi e ngjiste. Një ditë po pinim cigare në diell së bashku me Ferdinand Radën. I thotë Nandi:
-Kujtim! Mos rri në diell se do të të shkrijnë ngjitëset!
-Kujtimi vdiq në vitin 1987. Ishte 55 vjeç…