Më shumë se gjysma e liqeneve dhe rezervuarëve të mëdhenj në botë janë zvogëluar, që nga fillimi i viteve 1990, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike, duke intensifikuar shqetësimet për ujin për bujqësi, hidroenergjinë dhe konsumin njerëzor.
Një ekip studiuesish ndërkombëtarë, raportoi se disa nga burimet më të rëndësishme të ujërave të ëmbla në botë – nga Deti Kaspik midis Europës dhe Azisë, deri në liqenin Titicaca të Amerikës së Jugut – humbën ujë me një normë kumulative prej rreth 22 gigatonësh në vit, për gati tre dekada.
Fangfang Yao, hidrolog në Universitetin e Virxhinias, i cili drejtoi studimin në revistën Science, tha se 56% e pakësimit të ujit të liqeneve natyrore, ishte shkaktuar nga ngrohja e klimës dhe konsumi njerëzor, ku ngrohja globale mban peshën më të madhe.
Shkencëtarët e klimës në përgjithësi, mendojnë se situata në zonat e thata dhe ato me lagështi të botës do të përkeqësohet; studimi zbuloi humbje të konsiderueshme të ujit edhe në rajonet me lagështi. “Kjo nuk duhet neglizhuar,” tha Yao.
Shkencëtarët vlerësuan dhe studiuan pothuajse 2000 liqene të mëdhenj, duke përdorur matje satelitore të kombinuara me modelet klimatike dhe hidrologjike.
Ata zbuluan se përdorimi i paqëndrueshëm i njeriut, ndryshimet në reshje, sedimentimi dhe rritja e temperaturave, kanë ulur nivelet e liqeneve, ku 53% të liqeneve kanë pësuar rënie nga viti 1992 në 2020.
Rreth 2 miliardë njerëz, janë prekur drejtpërdrejt dhe shumë rajone janë përballur me mungesa uji në vitet e fundit.
Shkencëtarët dhe aktivistët, kanë thënë prej kohësh se është e nevojshme të parandalohet ngrohja globale përtej 1.5 gradë Celisus, për të shmangur pasojat më katastrofike të ndryshimit të klimës.
Bota aktualisht po ngrohet me një normë prej rreth 1.1C.
Studimi zbuloi se përdorimi i paqëndrueshëm i njeriut ka tharë liqenet, si Deti Aral në Azinë Qendrore dhe Deti i Vdekur në Lindjen e Mesme, ndërsa liqenet në Afganistan, Egjipt dhe Mongoli u ndikuan nga rritja e temperaturave, të cilat mund të rrisin humbjen e ujit në atmosferë.
Nivelet e ujit u rritën në një të katërtën e liqeneve, shpesh si rezultat i ndërtimit të digave në zona të largëta si Rrafshnalta e Brendshme Tibetiane. / World Economic Forum