Shuma totale e depozitave në rreth 200 mijë llogari të mbajtura nga emigrantët ekonomikë në bankat greke shkon në 3 miliardë euro. Kjo shumë i përgjigjet 60% të PBB-së së Shqipërisë, ndërsa paratë e dërguara nga emigrantët shqiptarë në vendlindjen e tyre, 9%. Për të plotësuar nevojat e kësaj pjese të re, dinamike të klientelës së tyre, bankat po përgatisin shërbime dhe produkte të veçanta. Erdhën të rreckosur dhe të uritur. Në fillim ata u identifikuan me problemet dhe krimin. Por ata qëndruan dhe krijuan. Bëjnë punë që grekët i përçmojnë, kursejnë më shumë dhe konsumojnë më pak. Këta janë emigrantët ekonomikë, të cilët sot llogariten në 850,000 – 1,000,000 (12% e fuqisë punëtore të Greqisë). Sipas një studimi të Bankës Kombëtare, nga emigrantët ekonomikë që punojnë dhe banojnë legalisht në Greqi, 65% janë shqiptarë, 20% janë ukrainas, polakë, gjeorgjianë, bullgarë dhe rumunë, ndërsa 15% e mbetur përbëhet nga etni të tjera. . I njëjti studim tregon se 90% e shqiptarëve që jetojnë në Greqi janë klientë të bankave greke. Në total, bankat greke kanë 200,000 – 250,000 llogari bankare që u përkasin familjeve të emigrantëve ekonomikë. Nga këto, 100 mijë llogari janë hapur për lehtësimin e procedurave dhe marrjen e kartonit jeshil. Depozita 3 miliardë euro.
Burime nga Banka Kombëtare e Greqisë
Shqipëroi për neutrale.al, Juljan Llapushi, Selanik