Gjurma e gishtit
Jam i vogël natyrisht,
ndaj dhe sot firmos me gisht.
Kur të jem sa Babi im,
do hedh firma pa mbarim.
Jo veç firma sa të doni,
po dhe vula “Dr. Dioni”!
Mos paç hall!
Te Bashkia mos paç hall,
Zyrë më zyrë vjen vërdallë
Porsi rrotë, porsi mole,
Sa dhe breshka të bën qole…
Njëherë
Njëherë natën te një fushë
Një polic po vidhte rrush.
Roja rojës seç “ia futi”:
– Shpejt, njofto të vijë hajduti!
Dashnorët
Një çift zogjsh, dashnorë të marrë,
cicërojnë mbi Bashki:
– Bulevardin “Zogu i Bardhë”,
pse s’e quajnë “Zogu i Zi”?!
Nxirje
Polli buçja këtë herë
dy këlyshë blozë, sterrë.
Qen kuqali tym e flakë:
“Ububu, qenushë zezakë!
Bushtra llapën qet një pash:
“Vjet harrove, qemë në plazh…”
Djali
Njëri kishte nja tri çupa.
“Boll me çupa, u mbush kupa.
Pa provoje dhe një herë,
mbase djali vjen në derë!”
Ia kthen burri mjaft serbes:
“Një në katër del kinez…”
Shenja
Mu në barkë dy peshkatarë;
Sot u shkoi peshkimi mbarë.
Ç’i tha njëri shokut tjetër:
– Vër një shenjë, të vijmë dhe nesër!
Tjetri shok pa zhurmë e bujë
Bëri fët një vrimë në ujë…