Pyetje : Përgjigje
Pyetje : A është e vërtetë se plagët te njerëzit me diabet mbyllen me vështirësi?
Është pjesërisht e vërtetë. Për shërimin e plagëve janë të nevojshme disa qeliza të cilat kanë nevojë për energji (ushqim). Kjo energji sigurohet nga glukoza. Që të realizohet ky proces është e domosdoshme prania e insulinës. Te njerëzit me diabet insulina mungon ose nuk përdoret. Prandaj, sa më mirë të mjekohet diabeti, aq më mirë dhe aq me shpejt shërohet plaga, dhe e kundërta.
Pyetje : Mund të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale njerëzit me diabet?
Falë kontrollit të glicemisë(nivelit te sheqerit ne gjak) që sot realizohet, njerëzit me diabet mund t’i nënshtrohen çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Është e rëndësishme parapërgatitja e mirë, kujdesi gjatë anestezisë dhe monitorimi i kujdesshëm pas operacionit.
Me këto masa çdo gjë shkon normalisht, si te njerëzit e zakonshëm.
Pyetje : Si të veproj në rast plagosjeje?
Dezinfekto plagën me një dezinfektues pa ngjyrë. Nuk duhen përdorur kurrë lokalisht antibiotikë dhe produkte të ngjyrosur, mbasi mund ta rëndojnë apo maskojnë gjendjen e plagës. Plaga mbas mjekimit duhet mbuluar me një garzë sterile, të thatë.