Nëse demokratët dhe republikanët nuk bien dakord, që të lejojnë SHBA-në të rrisë tavanin e borxhit, pra të marrë më shumë hua, ekonomia më e madhe në botë nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhin prej 31.4 trilion dollarësh.
Marrëveshja duhet të arrihet më 1 qershor. Nëse nuk e bëjnë këtë, kancelari Jeremy Hunt ka paralajmëruar, se ndikimi do të ishte “absolutisht shkatërrues”.
Por, çfarë do të thotë kjo për ekonominë dhe për njerëzit?
Ekonomia
Së pari, të gjithë ekspertët mendojnë se SHBA do të mund ta paguajë borxhin e saj.
Megjithatë, nëse kjo nuk do të ndodhte, “do ta bënte krizën financiare globale të dukej si festë”, thotë Simon French, drejtues ekonomik në bankën e investimeve Panmure Gordon, duke iu referuar kolapsit të afërt të industrisë bankare botërore në vitin 2008.
Nëse SHBA-ja nuk heq tavanin e borxhit, nuk do të jetë në gjendje të marrë hua më shumë para dhe shpejt do të mbeten pa para për të paguar përfitimet publike dhe detyrimet e tjera.
“Do të ndalonte dhënien e pagesave të mirëqenies dhe mbështetjes për njerëzit, gjë që do të ndikonte negativisht aftësinë e tyre për të shpenzuar dhe për të paguar faturat,” thotë Russ Mould, drejtor investimesh në AJ Bell.
Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë vlerësojnë se, nëse qeveria nuk mund të arrijë një marrëveshje të tavanit të borxhit për një periudhë më të gjatë,
ekonomia mund të tkurret deri në 6.1%.
Ekonomisti Mohamed El-Erian, president i Kolegjit Queens në Universitetin e Kembrixhit, thotë se një dështim “ndoshta do ta çonte SHBA-në në recesion”.
Kjo do të kishte ndikime të mëdha për pjesën tjetër të botës.
“SHBA është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në të gjithë botën. Do të blinte më pak produkte nga pjesa tjetër e botës,” thotë ai.
Z.El-Erian nuk mendon, se një recesion në SHBA do të çonte në një ngadalësim ekonomik në Britani, por z. French mendon ndryshe, duke qenë se SHBA është partner i rëndësishëm tregtar i vendit.
Normat e hipotekave mund të rriten
Përveç ndikimit negativ në tregti, Simon French thotë se një falimentim i SHBA-së, do të bënte që hipotekat në MB të bëhen më të shtrenjta dhe do të shkaktonin rritje të papunësisë në vend.
“Do të ishte kataklizmike,” thotë ai.
Pse problemet në SHBA do t’i bëjnë hipotekat më të shtrenjta në Mbretëria e Bashkuar?
Kur një qeveri dëshiron të marrë hua para, ajo lëshon obligacione, ose bono thesari. Investitorëve u paguhen interesat nga qeveria.
Nëse qeveria amerikane nuk shlyen borxhin e saj apo nuk paguan interesin, investitorët mund të mendojnë se, nëse SHBA mund të mos paguajë, edhe MB mund të mos paguajë.
Prandaj, ata mund të kërkojnë një normë më të lartë interesi, për të blerë borxhin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Çmimet mund të rriten
Dollari amerikan është monedha rezervë e botës. Kjo do të thotë se shumë mallra të rëndësishme si nafta dhe gruri, janë të kuotuara në dollarë.
Nëse qeveria amerikane falimenton, vlera e dollarit pritet të bjerë ndjeshëm.
Mospagimi i SHBA-së mund të shkaktojë panik te investitorët dhe t’i bëjë ata të pyesin se cili shtet tjetër, mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin e vet.
Papritur, çdo gjë duhet të rivlerësohet, dhe e shprehur në aspektin ekonomik, ky është një prim risku. Ky prim risku do t’i shtohet çmimeve.
Nëse ushqimi dhe karburantet bëhen më të shtrenjta, kjo do të rriste koston e jetesës për miliona njerëz.
Pensionet mund të ndikohen negativisht
Shtetet e Bashkuara përbëjnë 60% të vlerës së tregjeve globale të aksioneve, sipas z. Mould.
“Pra, ka shumë mundësi, që fondet e pensioneve, të jenë të ekspozuara ndaj aksioneve të kompanive amerikane.” tha ai.
Dhe tregjet e aksioneve, ka të ngjarë të reagojnë keq ndaj aftësisë mospaguese të SHBA.
Por, ka edhe lajme të mira.
Në vitin 2011, demokratët dhe republikanët u gjendën në ngërç mbi tavanin e borxhit deri shumë pranë afatit të shlyerjes.
Tregjet e aksioneve në SHBA ranë. Por, frika ishte jetëshkurtër dhe aksionet u rimëkëmbën. Z. Mold mendon se ky do të jetë rasti edhe këtë herë. / BBC