Një lule ende të paçelur e keputëm dhe e shkelëm…
Një fëmijë humbi jetën, pak larg shkollës, në sytë tanë, nën indiferendizmin tonë, i shoqëruar nga spektatorë, që bënë sikur i zuri gjaku, kur e panë të shtrirë me agoni.
Një fëmijë iku dhe nuk kthehet më, ndërsa në TV, meraku më i madh ishin mandatet e Këshillave Bashkiak.
Një fëmijë iku, por ata që duhet të kujdeseshin, kur del nga shtëpia e je në rrugë, ja hodhën fajin të gjithëve veç vetes së tyre.
Një fëmijë iku jo për turizëm, as për emigrim, duke u ekzekutuar pa mëshirë, në mes të ditës, në sy të prindërve, shokëve, mësuesve, kandidatëve dhe kryetarit të bashkisë, këshilltarëve që mezi presim mbledhjen e parë për të bërë qokat.
Dhëntë Zoti mos ta provoni në shtëpitë tuaja, se nuk besoj se do t’ju shkoj mendja të thoni: “Kështu e kishte të shkruar, nuk kishim ç’bënim.”
Një fëmijë iku. Ju lutem pak heshtje, lutje dhe përshpitje. Shtyjeni pak orë tallavanë dhe ekstazën e pushtetit apo mllefin e humbjes.