Agjenti i FBI, Peter Lapp në një komunikim me “Syri TV” tha se, ish-agjenti Charles McGonigal kishte fuqi të hartonte dosje për “Non Grata”,
Lapp u shpreh se McGonigal nuk kishte fuqi sa të hiqte një person nga lista e zezë, por thekson se mund të kishte ndikim në vendosjen e dikujt në listën e “Non Gratave” për SHBA.
“Kjo është një tjetër gjë për të cilën mendoj se Çarli po e tejzbukuronte rolin dhe aftësinë e tij për ta bërë këtë. Edhe një herë, ai është lojtar i vogël në totalin e qeverisë së Sh.B.A.-ve.
Ai ishte zyrtar i lartë në FBI, por nuk mendoj se kishte pushtetin apo aftësinë të ndikonte sidomos heqjen e një personi prej listës non grata. Sigurisht, kur flasim për operacione zbulimi, po të kish qenë ky rasti, ai mund të kishte ndikim në vendosjen e dikujt në listë, por heqja prej listës do të ishte goxha e vështirë për dikë në pozitën e Çarlit. Mendoj se, në këtë rast, e tejzbukuroi se çfarë mund të arrinte për persona të caktuar në vendin tuaj.
Çarli do të kishte pasur pozitën që të përpiqej të hapte një hetim, nëse plotësoheshin parakushtet, nëse bëhej fjalë për një supozim për shkelje penale, supozim operacioni zbulimi. Ai sigurisht mund të ndikonte hapjen e një hetimi, por se si dilte ai hetim, ai do të humbiste kontroll deri diku, sepse hetuesit do të kryenin intervistat dhe hetimet e tyre dhe do të shihnin se ku do të shkonte.
Por sigurisht do të kishte aftësinë ta hapte një hetim, nëse parakushtet e justifikonin këtë. Këtë nuk do bënte vetëm. Ka shumë kontrolle e balancime, do të duhej miratimi i njerëzve në selitë e FBI-së, njerëzit në Departamentin tonë të Drejtësisë do të duhej t’i miratonin këto lloj hetimesh. Pra, sërish mendoj se bëhet fjalë për Çarlin që përpiqej të shiste ndikim, aftësi dhe kapacitete mbi të cilat nuk kishte kontroll total, nga perspektiva e qeverisë amerikane”, tha ai.