Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Agimi”, i iniciuar në maj të vitit 2021, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët e GDF-së.
Shkon në 21 numri i shtetasve të vënë në pranga, si rezultat i këtij megaoperacioni masiv, të zhvilluar në Nikël, Halil dhe në Arramerras, përmes monitorimit nga ajri, për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit.
Vihet në pranga 51-vjeçari me masë sigurie nga Gjykata e Lartë, pasi kultivoi bimë narkotike në fshatin ku banonte.
Si rezultat i hetimeve intensive të zhvilluara në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Agimi”, të iniciuar në maj të vitit 2021, për kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në territore të hapura dhe në ambiente të mbyllura, në fshatrat Nikël, Halil dhe Arramerras, të qytetit të Krujës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë vunë në pranga shtetasin:
-P. K., 51 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë, pasi Gjykata e Lartë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjatë këtij megaoperacioni, shërbimet e Policisë së Shtetit dhe ato të GDF-së, kontrolluan me avionë dhe dronë, sera, magazina, banesa dhe zona të pyllëzuara, si dhe administruan një sërë informacionesh nga inteligjenca informative, me qëllim evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.